Një turist nga Gjermania ka marrë fjalën gjatë protestës së 39-të para Kryeministrisë në Tiranë, ku shprehu mbështetjen e tij për protestuesit dhe ndau vlerësimin e tij për situatën në Shqipëri.
Duke iu drejtuar qytetarëve, ai tha se prej gjashtë vitesh viziton Shqipërinë dhe ka ndjekur nga afër zhvillimet në vend.
“Mirëmbrëma Shqipëri, jam nga Gjermania. Prej 6 vitesh kam ardhur në Shqipëri dhe ju kam ndjekur. Vëllezërit, motrat dhe fëmijët tuaj janë të gjithë jashtë vendit, sepse nuk gjejnë punë këtu, nuk kanë spitale. Kjo është situata”, u shpreh ai.
Turisti gjerman theksoi se Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm falë natyrës dhe bregdetit të saj, por sipas tij, korrupsioni dhe politika po i detyrojnë qytetarët të largohen.
“Shqipëria është një prej vendeve më të pasura me natyrë, me plazhe, keni gjithçka. Por për shkak të korrupsionit dhe politikës, njerëzit detyrohen të ikin. Ndaj ju duhet të bëni diçka dhe të ndryshoni diçka këtu. Shqipëri e lirë!”, deklaroi ai.
Deklaratat e turistit përfaqësojnë opinionet e tij personale të shprehura gjatë protestës.
