Ka përfunduar protesta e sotme qytetare në kryeqytet, e cila shënoi ditën e 39-të të tubimeve radhazi dhe masive kundër pushtetit. Revolta e sotme nisi fillimisht me grumbullimin e mijëra qytetarëve në sheshin “Skënderbej”, nga ku nisi edhe marshimi i madh drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe institucioneve kryesore.
Me pankarta në duar, flamuj kuqezi dhe thirrje të forta drejtuar mbarë klasës politike, qytetarët e ardhur nga të gjitha anët e qytetit ndezën atmosferën në rrugët e Tiranës, duke kërkuar me ngulm largimin e qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama.
Pasi përshkuan akset kryesore të kryeqytetit—përfshirë Kryeministrinë, Parlamentin dhe selitë politike—protestuesit u shpërndanë qetësisht, por jo pa lënë një mesazh të qartë për vazhdimësinë. Në mbyllje të tubimit, qytetarët dhe aktivistët bënë thirrje që nesër, në ditën e 40-të të qëndresës, sheshi të mbushet edhe më shumë për të çuar deri në fund revoltën e tyre antisistem.
