Gjatë fjalës së tij në sesionin e 33-të të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Hagë, Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka ngritur shqetësime të forta në lidhje me situatën që po kalon vendi ynë.

Mediu u shpreh se korrupsioni, trafiku i drogës dhe lidhjet e qeverisë me krimin e organizuar, farsa elektorale, janë faktorë që kërcënojnë seriozisht sigurinë dhe stabilitetin në Shqipëri dhe Ballkan.

Gjatë fjalës së tij, Kryetari i PR përmendi gjithashtu dhe lëvizjen madhështore të qytetarëve, të cilët janë ngritur kundër arrogancës, korrupsionit, krimit të organizuar dhe kapjes së shtetit.

Në sesionin e 33-të të Asamblesë Parlamentare marrin pjesë 57 delegacione parlamentare të vendeve të OSBE-së dhe një delegacion i nivelit të lartë të Senatit dhe Kongresit Amerikan, ku ndër të tjera u diskutua për sigurinë, agresionin rus në Ukrainë, konfliktin në Lindjen e Mesme, luftën kundër trafikut të drogës, krimit të organizuar dhe korrupsionit qeveritar, zgjedhjet dhe liritë demokratike.

Mediu
Mediu

FJALA E PLOTË E FATMIR MEDIUT

Të nderuar kolegë,

Duke qenë se ndaj të njëjtat shqetësime, si edhe angazhimin për të drejtën ndërkombëtare dhe për parimet tona të përbashkëta, më lejoni të tërheq vëmendjen tuaj ndaj një çështjeje për të cilën duhet të angazhohemi edhe në vendet tona.

Sot, krimi i organizuar vepron si një korporatë shumëkombëshe, duke shfrytëzuar korrupsionin, rrjetet financiare, kapacitetet kibernetike dhe ndikimin politik për të depërtuar në institucionet shtetërore.

Në Shqipëri, krimi i organizuar, trafiku i drogës dhe korrupsioni sistemik po minojnë gjithnjë e më shumë shtetin e së drejtës, institucionet demokratike dhe besimin e qytetarëve. Kjo nuk është më thjesht një sfidë për zbatimin e ligjit; është një kërcënim i drejtpërdrejtë për arkitekturën e sigurisë në hapësirën e OSBE-së.

Kur rrjetet kriminale kapin institucionet, deformojnë zgjedhjet dhe dobësojnë pavarësinë e gjyqësorit, ato gërryejnë parimet mbi të cilat është ndërtuar siguria jonë kolektive.

Pikërisht me këtë po përballemi: me një krizë të thellë demokratike, regres demokratik, kapje të shtetit dhe shkrirje të qeverisë me korrupsionin, krimin e organizuar dhe institucionet shtetërore të kontrolluara nga partia në pushtet. Këto fenomene janë dokumentuar në shumë raporte dhe dokumente ndërkombëtare.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat ju i vëzhguat, ishin një farsë, e karakterizuar nga keqpërdorimi i burimeve shtetërore, blerja e votës dhe intimidimi i votuesve nga qeveria dhe krimi i organizuar.

Sot, Shqipëria klasifikohet si një autokraci elektorale.

OSBE-ja u themelua mbi bindjen se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa demokraci, respekt për të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës.

Duke u mbështetur në këto vlera – lirinë, pronën private, identitetin, identitetin kombëtar, dashurinë për vendin, luftën kundër korrupsionit, kundër arrogancës së qeverisë, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës – prej 30 ditësh me radhë, mijëra shqiptarë po protestojnë çdo ditë kundër një qeverie të korruptuar.

Ata janë shqiptarët e vërtetë evropianë, që ngrihen në mbrojtje të vendit të tyre dhe të vlerave evropiane, kundër korrupsionit në qeverisje, duke kërkuar përgjegjësi politike.

Faleminderit!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb