Ditën e sotme, në ditën e 40-të të qëndresës qytetare përpara Kryeministrisë, eksperti i IT-së dhe aktivisti Genti Progni ka mbajtur një fjalim mjaft të ashpër dhe me tone të forta ironie ndaj reagimit të strukturave shtetërore përballë revoltës virtuale të qytetarëve.

Progni ka folur në lidhje me konferencën e fundit të Policisë së Shtetit, e cila sipas tij u mblodh në mënyrë qesharake vetëm sepse protestuesit po u ulin vlerësimet në Google (reviews) disa bizneseve të caktuara.

“Për herë të parë sot u ula në kompjuter të punoja, se kisha me merak review-t e këtyre hajdutëve që kanë vjedhur lekët tona dhe na shesin mend me hotele luksi. Po punoja për ato reviews me nga një yll. Dhe më dërguan mesazh, më thanë ka konferencë drejtori i policisë. Thashë shyqyr u arrestua Balluku, shyqyr kanë kapur Ergys Agasin, Ermal Beqirajn. Thashë shyqyr kanë kapur Ulsi Manjën, shyqyr kapën Mirlinda Karçajan… por çfarë të shihja, patronazhisti ishte merakosur për review në Google! Nuk e ndau, a është e dënueshme me një yll apo me dy yje? Ta dimë sa review t’iu japim”, ironizoi Progni mes të qeshurave dhe duartrokitjeve të turmës.

Në pjesën e dytë të fjalës së tij, aktivisti ka lëshuar një apel të fortë për të gjithë ata intelektualë apo figura që zgjedhin të flasin nëpër ekrane televizive, duke i ftuar të zbresin në rrugë pranë popullit dhe duke akuzuar hapur pronarë mediash për fshehje taksash dhe tendera korruptivë.

“Kam edhe një sugjerim. I shoh shumë intelektualë që flasin nëpër media, por ne nuk i shohim mediat. I shoh që flasin për kuvende, e takime, por ne nuk i shohim mediat. Hajdeni këtu në sheshin e burrave, t’iu dëgjojë populli. Nëse doni të na përfaqësoni hajdeni këtu”, u shpreh ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb