Kryetari i Partisë MUNDËSIA, Agron Shehaj, i është drejtuar me një video-mesazh publik këngëtarit Kanye West, duke i kërkuar të heqë dorë nga koncerti në Shqipëri dhe të refuzojë paratë e dhëna nga kryeministri Edi Rama.
Shehaj i thotë Kanye West se 4 milionë eurot që po i jep Rama janë të shqiptarëve, popullit më të varfër në Europë.
Shehaj i bëri thirrje artistit të mos bëhet palë me kryeministrin Rama, të cilin e cilësoi autokrat dhe i tha se nëse do të refuzojë koncertin, do të mbahet mend.
Thirrja:
“Kanye West, kam një kërkesë për ty! Unë jam lideri i një partie opozitare në Shqipëri.
Refuzo paratë që kryeministri Edi Rama po të jep! Hiq dorë nga koncerti në Shqipëri! Edi Rama të ka dhënë 4 milionë euro.
Janë para që u përkasin popullit më të varfër në Europë. Ti nuk ke nevojë për ato para.
Ti je miliarder. Ti e ndërtove suksesin tënd përmes punës tënde. Mos u bëj palë me Edi Ramën. Refuzo paratë e këtij autokrati.
Do të mbahesh mend! Do të bësh histori!” – deklaroi Agron Shehaj në video-mesazhin e tij në rrjetet sociale.
