Mbrëmje me emocione të kundërta për skuadrat shqiptare në Ligën e Konferencës. Dinamo u mposht minimalisht nga Astana në “Elbasan Arena”, ndërsa Vllaznia hodhi një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit, duke përmbysur Malishevën me rezultatin 2-1 në “Loro Boriçi”.

Dinamo e nisi me humbje aventurën europiane në këtë edicion, pasi u mund 1-0 nga kazakët e Astanës në ndeshjen e parë të turit të parë kualifikues. Bluzinjtë u paraqitën kërkues në pjesën e parë dhe u përpoqën të kontrollonin lojën, por rastet më të rrezikshme i krijuan miqtë, të cilët u ndalën disa herë nga pritjet vendimtare të portierit Teqja.

Në fraksionin e dytë ritmi i lojës ra, me Dinamon që vazhdoi të mbante iniciativën, ndërsa Astana priti momentin e duhur për të goditur në kundërsulm. Pikërisht në një aksion të shpejtë, Karimov përfitoi nga një moment pasigurie në mbrojtjen vendase dhe realizoi golin që vendosi fatin e takimit. Humbja 1-0 e lë të hapur çështjen e kualifikimit, por skuadra kryeqytetase do të duhet të realizojë një përmbysje të vështirë në sfidën e kthimit, nëse kërkon kualifikimin.

Në anën tjetër, Vllaznia mori një fitore me peshë ndaj Malishevës, duke triumfuar 2-1 në “Loro Boriçi” dhe duke krijuar avantazh për ndeshjen e kthimit. Takimi nisi në mënyrën më të keqe për shkodranët, pasi skuadra kosovare kaloi në epërsi që në minutën e tretë me një gol spektakolar direkt nga goditja e këndit, realizuar nga Xhylani. Megjithatë, ekipi i drejtuar nga Edi Martini reagoi menjëherë dhe riktheu ekuilibrat falë golit të Qatos, duke mbyllur pjesën e parë në barazim.

Momenti vendimtar i sfidës erdhi në minutën e 55-të, kur Skovgard u ndëshkua me karton të kuq si lojtari i fundit, duke lënë Malishevën me një futbollist më pak. Nga goditja e dënimit që pasoi, Musta realizoi një gol të bukur në debutimin e tij me fanellën kuqeblu, duke përmbysur rezultatin dhe siguruar fitoren e Vllaznisë.

Suksesi bëhet edhe më i veçantë duke marrë parasysh vështirësitë me të cilat u përballën shkodranët. Për shkak të situatës me regjistrimin e lojtarëve, në stolin e rezervave ishin vetëm futbollistë të akademisë, ndërsa në dispozicion për debutim ishin vetëm përforcimet Toma dhe Musta. Pavarësisht këtyre mungesave, Vllaznia tregoi karakter dhe mori një fitore që i jep besim për sfidën e kthimit.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb