Diçka në lidhje me këtë koncertin, për të cilin qeveria ka dhënë mbi 4 milionë euro nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

Po dëgjoj, shikoj dhe kuptoj një reagim dhe zemërim të madh si në rrjetet sociale, por edhe në biseda të zakonshme me njerëz të ndryshëm, se pse dhe si po shpenzohen këto miliona euro!

Ndërkohë, vendi ynë shpesh përballet me përmbytje dhe ne s’paskemi para të rimbursojmë njerëzit apo të ndërtojmë diga dhe kanale, që këto fatkeqësi të minimizohen nga dëmet!

Çdo vit shikojmë situata deri apokaliptike zjarresh, madje edhe humbje jetësh njerëzore, dhe shteti s’ka mjete zjarrfikëse që t’u vijnë në ndihmë të prekurve!

Në dijeninë time, akoma s’janë mbyllur apo dëmshpërblyer të prekurit nga tërmeti, sepse shteti, thonë, nuk ka më fonde për njerëzit e tij!

Të mos harrojmë dëmet ekonomike dhe njerëzore që pësuan qytetarët e këtij vendi nga pandemia, rast nga i cili qeveritarët vetëm u majmën me lekë, duke abuzuar pa fund.

Asnjëherë nuk është bërë transparencë për të kuptuar se sa nga këto fonde kanë shkuar ndër vite në ndihmë të njerëzve, të cilët, sipas këtyre që drejtojnë vendin, u kanë dhënë edhe votën!

Sepse, me ligje të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, fondi rezervë i Këshillit të Ministrave duhet përdorur kryesisht për të tilla ngjarje dhe fatkeqësi natyrore.

Ndërkohë që ne kemi, që nga viti 2022 e këtej, që kemi denoncuar shpenzimet marramendëse nga ky fond – deri tani, 2022–2026, mbi 16 milionë euro – për projektin fantazmë dhe krejt të padobishëm që ky shtet i jep KOKSH-it për gjoja masivizimin e sportit. Shtoji tani këtij fondi edhe 4.2 milionë euro të dhëna për këtë koncertin, po nga ky fond, dhe bëhen më shumë se 20 milionë euro. Po t’i shtojmë edhe rreth 10 milionë euro të Giro d’Italia, u bënë 30 e ca milionë…

Atëherë –

Le të na thonë inxhinierët dhe ekonomistët se çfarë pune mund të ishte bërë me këto para, nëse do të shkonin për diga dhe kanale kulluese!

Le të na thonë këta të zjarrfikësve se sa avionë, makina e mjete shpëtimi mund të ishin blerë kundër zjarreve dhe emergjencave civile!

Le të na thonë këta të tërmetit se sa shtëpi dhe pallate mund të ishin ndërtuar me këto para, për t’u bërë të mundur njerëzve të kenë një strehë ku të fusin kokën!

Le të na thonë këta të shëndetësisë se sa punë mund të kishin kryer në dobi të popullatës gjatë kohës së pandemisë apo edhe më vonë!

Le të na thonë këta të sportit se sa palestra apo terrene sportive mund të ishin ndërtuar me këto para në gjithë vendin, për t’u dhënë mundësinë të rinjve shqiptarë të merrnin çantat sportive e të merreshin me sport dhe argëtim, dhe jo të marrin çantat e të ikin nga ky vend!

Le të na thonë këta të artit se sa salla kinemaje apo teatro mund të bëheshin me këto para, në vend që 4.2 milionë euro t’i jepen ish-burrit të Kim Kardashianit!

Por sulltanati i ndërtuar nga idetë perverse të një njeriu, të cilin si lider suprem e marrin shembull edhe idiotët e padobishëm poshtë tij, nuk të lë asnjë hapësirë për transparencë dhe lëre më pastaj për llogaridhënie.

Shpenzimet e fondit rezervë të buxhetit të shtetit nuk mundet kurrsesi të bëhen rrush e kumbulla për favore personale dhe ushqim patronazhistësh.

U desh ky rast, i këtij koncerti, që të kuptohej nga opinioni publik, tashmë i mbarsur me urrejtje ndaj qeveritarëve, se këtu abuzohet edhe me fatkeqësitë natyrore dhe shpenzohen para për qejfe dhe ahengje.

Prandaj të mos habiten fare që më në fund njerëzit e lirë dalin dhe protestojnë, se kupa s’mban më dhe abuzimit një ditë duhet t’i vijë fundi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb