Një super Jahmir Hyka. Mesfushori shqiptar nuk përmbahet në Superligën zvicerane. Dje shënoi dy herë kundër Bazelit të Taulant Xhakës. Tri ndeshje dhe po kaq gola për shtatshkurtrin. Këto janë shifra të një bomberi, për më tepër që vijnë nga një lojtar krahu dhe jo prej këmbëve të një sulmuesi të mirëfilltë. Ndaj nuk është aspak rastësi që ai përfundoi në formacionin më të mirë të javës në Zvicër.
Megjithatë, për Luzernën nuk mjaftoi as dopieta e Hykës që të merrte të paktën një pikë ndaj kampionëve në fuqi të Zvicrës. Pas një pjese të parë fantastike, ku mesfushori shënoi dy herë dhe ekipi i tij shkoi në pushim me fitoren 2-1, në 45 minutat e dyta Bazeli tregoi “dhëmbët” duke i përmbysur shifrat në 2-3. Xhaka ishte në fushë për 90 minuta, ndërsa u ndëshkua edhe me një karton të verdhë. 10 minuta nga fundi i lojës, Hyka u zëvendësua mes duartrokitjeve pa fund në stadiumin e Luzernës. Pas ndeshjes, “Panorama Sport” kontaktoi me 28-vjeçarin, i cili foli për momentin e shkëlqyer që po kalon dhe çështjen e Kombëtares.
Jahmir, një start me shifra prej bomberi në Zvicër. A mund ta quajmë këtë momentin më të mirë të karrierës suaj?
Është e vërtetë që po kaloj një formë të mirë, por edhe sezonin e kaluar kam shfaqur të njëjtën gjë. Megjithatë, u bë një kohë e gjatë që po luaj rregullisht dhe tashmë, përveç lojës së mirë, po shënoj. Gjithnjë kam dëgjuar që kur futbollisti shkon në moshën 27 ose 28 vjeç, është kulmi i tij, pasi ndihet më mirë në të gjitha aspektet. Këtë tashmë mund ta konfirmoj edhe unë, sepse kam fituar shumë eksperiencë dhe, mbi të gjitha, kam një freski fizike. Pra, mund ta konfirmoj se është kulmi i karrierës sime.
Cili ka qenë urimi më i bukur që keni marrë pas këtyre dy golave?
Janë urime standarde, por natyrisht dua të veçoj ato të familjes që vijnë nga zemra. Kjo më bën edhe mua më të lumtur, kur familjarët e mi ndihen mirë. Në këto raste është një ndjesi e veçantë, pasi të urojnë shumë njerëz, madje edhe ata që ke kohë pa komunikuar. Edhe unë mundohem që të gjithëve t’u kthej respektin që më bëjnë.
Çfarë ndodhi ndaj Bazelit, nga 2-1 në pjesën e parë me dopietën tuaj, më pas përmbysje?
Në fakt, luajtëm shumë mirë, por dihet forca e Bazelit. E nisëm shkëlqyer pjesën e parë, ndërsa në të dytën ndikoi shumë lodhja. Gjatë kësaj periudhe kemi luajtur shumë ndeshje, pasi njëkohësisht kemi qenë të angazhuar edhe në Ligën e Europës. Nuk kemi aq shumë lojtarë si alternativa, ashtu siç ka Bazeli. Këtu mendoj se u bë edhe diferenca, pasi ne kishim më pak freski, ndërsa ata ishin më mirë fizikisht.
Biseduat me Taulant Xhakën pas ndeshjes?
U takova me Taulantin para ndeshjes, por edhe pas saj. Ai ka lexuar gazetat, që kanë shkruar për formën time dhe më tha në formë shakaje: “duhet të kemi kujdes edhe ty tani”.
Tashmë që po kaloni një formë të mirë, mendoni se rikthimi në Kombëtare do të vijë që në shtator?
Të jem i sinqertë, unë asnjëherë nuk i kam humbur shpresat për të qenë pjesë e Kombëtares. Madje, edhe në Europian besoja se mund të isha, pasi zhvillova një pjesë të dytë të sezonit shumë të mirë. Megjithatë, kjo është në dorë të trajnerit dhe mua nuk më mbetet gjë tjetër, veçse të respektoj zgjedhjet që bën ai. Tashmë nuk e di çfarë plani ka De Biazi, por për mua është e rëndësishme që, për momentin, po luaj rregullisht dhe jam në maksimumin tim. Do të isha shumë i lumtur nëse do të më grumbullonin që në ndeshjen e parë kundër Maqedonisë.
A keni pasur kontakte këtë periudhë me ndonjë pjesëtarë të stafit teknik të Shqipërisë?
Kam folur në telefon pak ditë më parë me zv.trajnerin Tramexani, i cili më uroi për momentin e mirë që po kaloj, por nuk më tha asgjë nëse do të isha ose jo në planet e stafit teknik të Kombëtares.
Ju e ndieni se duhet të jeni patjetër pjesë e kësaj Kombëtareje?
Nuk e di se çfarë duhet të bëj më tepër për të qenë pjesë e ekipit. Një ftesë që në ndeshjet e radhës mendoj se do të ishte e merituar. Pra, nuk do të ishte diçka e padrejtë. Gjithsesi, kjo nuk varet nga mua. Puna ime është të tregoj veten në skuadrën ku aktivizohem.
“Iki nga Luzerna për një ofertë të parefuzueshme”
Jahmir Hyka ikën nga Luzerna vetëm për një ofertë të parefuzueshme. Mesfushori tiranas pranon se ka pasur interesime nga klube të kampionateve të tjera, por nuk do që të nxitohet. “Jam edhe një sezon nën kontratë me Luzernën. Gjatë vitit të kaluar rinovova marrëveshjen, në një kohë që ishte edhe një periudhë që mendova se do të ndryshoja skuadër, por ia që gjërat shkuan më mirë, pasi vendosa të qëndroja.
Ishte një zgjedhje e duhur, por sa i përket së ardhmes, më duhet të pranoj se nuk ka asgjë të sigurt. Në futboll ndodh gjithçka dhe një mundësi më e mirë do të më tundonte për të ndryshuar klub. Kam pasur oferta të vazhdueshme, por nuk dua të nxitohem. Nëse vjen një variant shumë i mirë që nuk mund të refuzohet, do ta pranoj”, është shprehur dje mesfushori 28-vjeçar gjatë bisedës për “Panorama Sport”.
(ed.me/BalkanWeb)
