Eksperti i IT-së, Gent Progni, ka mbajtur një fjalim gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, ku protestuesit kërkuan largimin e kryeministrit Edi Rama.

Në fjalën e tij, Progni ironizoi rritjen e çmimit të sufllaqeve, duke e lidhur me koncertin e artistit Kanye West, ndërsa shtoi se ata që morën pjesë në aktivitet, sipas tij, i kanë bërë një nder protestës.

Ai deklaroi se, nëse do të ketë ndryshim të qeverisë, do të propozojë një ligj që e quajti simbolikisht “ligji i sufllaqeve”, duke shtuar se personat që, sipas tij, kanë shpërdoruar fondet publike duhet të mbajnë përgjegjësi.

Progni tha gjithashtu se po përgatitet një kallëzim i ri për t’u depozituar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), lidhur me një fond prej 4 milionë eurosh, për të cilin ai pretendon se i është dhënë një kompanie private.

Në vijim, ai ngriti edhe pretendime për lidhje të kësaj kompanie me individë të tjerë dhe për çështje pronësie.

Në përfundim të fjalës së tij, Progni akuzoi qeverinë për keqmenaxhim dhe korrupsion, duke deklaruar se, sipas tij, zyrtarët përgjegjës duhet të përballen me drejtësinë dhe se qeveria duhet të japë dorëheqjen.

“Kur po vija këtu çmimi i sufllaqes ishte rritur, se ishte maru nga ato të Kanye Wast. Ata që janë shkua atje na kanë bërë një nder, disa kanë shkuar mëzor. Kur të vijë Shqipëria e Re, do të bëjmë një ligj të ri, dhe do ta quajmë ligji i sufllaqeve, dhe do i dënojmë…Por atje në burg nuk do i japim sufllaqe. Rama na ka dhënë mundësinë për të bërë një dosje tjetër për ta çuar në SPAK për 4 mln euro. 4 mln euro për t’ja dhënë kompanisë që organizon të gjithë tallavatë e kësaj qeverie. Kompani që baxhanaku i njërit prej oligarkëve që ka ndërtuar HECe kanë marrë dhe tokën atje që e kanë edhe pa leje. Këtë kompani ta çojmë në SPAK. Gjithashtu edhe Vasil Naçi ka edhe toka në Zvërnec, çdo gjë lidhet shumë mirë. Kjo është qeveri e tallavasë, qeveri që do arrestohet, qeveri që do japë dorëheqje”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb