Aktivisti Ilir Xhemalaj ka lëshuar një mesazh të prerë për qeverinë, teksa ka folur drejtpërdrejt për mikrofonin e televizionit News24 në mesin e protestuesve në sheshin Skënderbej.

Xhemalaj deklaroi me vendosmëri se qëndresa qytetare nuk do të ndalet dhe se synimi i vetëm i tyre është rrëzimi i kabinetit qeveritar.

“Do të protestojmë çdo ditë deri në dorëheqjen e qeverisë Rama. Ne nuk do të lëvizim. Protesta do të vijojë çdo ditë më e fortë. Njerëzit janë përgjigjur masivisht,” u shpreh aktivisti, duke vënë në dukje pjesëmarrjen e madhe të qytetarëve që kanë mbushur sheshet prej javësh.

Sipas Xhemalajt, reagimi i deritanishëm i kryeministrit tregon se pushteti është i tronditur përballë revoltës popullore. Megjithatë, ai theksoi se lëshimet apo ndryshimet e vogla që po tenton të ofrojë ekzekutivi janë thjesht një fasadë për të qetësuar gjakrat.

“Mbreti ka dalë lakuriq. Qeveria kërkon të bëjë ca rregullime, por është makijazh. Nuk kënaqemi me makijazh. Ne kërkojmë që qeveria të japë dorëheqjen dhe Rama të largohet,” deklaroi prerë ai, duke shtuar se kreu i qeverisë nuk gëzon më legjitimitet për të drejtuar vendin.

Në mbyllje të fjalës së tij, aktivisti nënvizoi se forca e vërtetë tashmë është zhvendosur në rrugë dhe se kryeministri po ndjen presionin e drejtpërdrejtë të qytetarëve: “Rama nuk është përfaqësuesi i këtij populli. Ajo protestë përfaqëson këtë popull dhe protesta e ka detyruar Ramën të bëjë hapa mbrapa.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb