Të paktën dy persona humbën jetën dhe tetë të tjerë u plagosën pas një sulmi të ri rus në qytetin port të Odesës, në jug të Ukrainës, mbrëmjen e së enjtes.
Lajmi u konfirmua nga zëvendëskryetari i bashkisë së Odesës, Oleksandr Filatov, i cili bëri të ditur se një raketë goditi një ndërtesë banimi, ndërsa u dëmtuan edhe një shkollë, automjete dhe objekte të tjera të infrastrukturës civile.
Shërbimet e emergjencës ukrainase njoftuan më vonë në Telegram se mes të plagosurve ndodhet edhe një grua, e cila u godit ndërsa po shëtiste në një park me fëmijët e saj. Ajo arriti të mbijetojë.
Ky është sulmi i pestë radhazi ndaj rajonit të Odesës gjatë kësaj jave. Vetëm një ditë më parë, autoritetet lokale raportuan tre viktima dhe tre të plagosur nga sulme të tjera me raketa dhe dronë.
Sipas autoriteteve ukrainase, Odesa është bërë një nga objektivat kryesore të forcave ruse për shkak të rolit të saj strategjik si porti më i madh i Ukrainës në Detin e Zi.
Ndërkohë, Financial Times, duke cituar të dhëna nga kompania e sigurisë detare Ambrey, raportoi se sulmet e fundit ruse, të cilat Moska i paraqet si kundërpërgjigje ndaj operacioneve ukrainase kundër anijeve ruse, veçanërisht në Detin e Azovit, kanë ulur eksportet e drithërave nga porti i Odesës me rreth një të tretën. Kjo pritet të ndikojë më tej në tregtinë bujqësore të Ukrainës dhe në zinxhirët globalë të furnizimit me drithëra.
