Kompania e kateringut SORI-AL ka reaguar pas vendimit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) për të lejuar vijimin normal të aktivitetit të saj, pas kontrolleve të kryera lidhur me dy episodet e raportuara me shqetësime shëndetësore te studentët e Akademisë së Sigurisë.

Në një deklaratë publike, kompania pretendon se për më shumë se dy muaj është përballur me akuza për një “helmim masiv ushqimor”, ndërsa verifikimet zyrtare, sipas saj, nuk kanë konfirmuar një lidhje mes ushqimit të përgatitur nga SORI-AL dhe gjendjes shëndetësore të studentëve.

“Dy muaj akuza. Një përfundim zyrtar krejt tjetër”, thuhet në deklaratën e kompanisë, e cila thekson se gjatë gjithë periudhës ka bashkëpunuar me institucionet shtetërore dhe ka vënë në dispozicion ambientet, dokumentacionin dhe produktet për kontrolle.

Sipas SORI-AL, dokumentet zyrtare tregojnë se QSUT nuk ka konfirmuar raste të diagnostikuara me helmim ushqimor dhe se nuk ka një raport mjekësor që të lidhë simptomat e pacientëve me ushqimin e konsumuar.

Kompania deklaron gjithashtu se analizat e kampioneve të ushqimit të kryera nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) kanë rezultuar negative, ndërsa Inspektorati Shtetëror Shëndetësor nuk ka konstatuar shkelje. Po ashtu, sipas saj, AKU e ka përfunduar procedurën pa evidentuar shkelje dhe ka lejuar rifillimin e aktivitetit.

Në reagimin e saj, SORI-AL i referohet edhe të dhënave klinike për studentët e paraqitur në QSUT. Kompania thotë se në episodin e parë, nga 45 persona të paraqitur, 43 janë larguar brenda pak orësh, ndërsa në episodin e dytë, nga 67 persona, 66 janë larguar pas një periudhe të shkurtër monitorimi.

SORI-AL ngre shqetësimin për dëmin ndaj reputacionit të saj, duke argumentuar se opinioni publik është krijuar përpara përfundimit të procedurave zyrtare.

REAGIMI I KOMPANISE
Për më shumë se dy muaj, opinioni publik u përball me lajme dhe deklarata që pretendonin se “SORI-AL” kishte shkaktuar një helmim masiv ushqimor. Sot, pas përfundimit të të gjitha verifikimeve zyrtare, rezulton se asnjë institucion nuk ka konfirmuar një përfundim të tillë. Megjithatë, dëmi ndaj reputacionit të kompanisë është shkaktuar dhe nuk mund të zhbëhet vetëm me një procesverbal apo një njoftim administrativ.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, “SORI-AL” ka bashkëpunuar pa asnjë rezervë me çdo institucion shtetëror, ka hapur ambientet për çdo kontroll dhe rikontroll, ka vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin e kërkuar dhe ka pritur përfundimin e verifikimeve pa zhvilluar gjyqe në media dhe pa paragjykuar punën e autoriteteve.

Dokumentet zyrtare flasin qartë. QSUT konfirmon se asnjë pacient nuk është diagnostikuar me helmim ushqimor dhe se nuk ekziston asnjë raport mjekësor që të lidhë gjendjen shëndetësore të pacientëve me konsumimin e ushqimit të përgatitur nga “SORI-AL”.

Ndërkohë, analizat e kampioneve të ushqimit të marra gjatë kontrolleve zyrtare nga ISUV kanë rezultuar negative, rezultat i konfirmuar edhe nga analizat e një laboratori privat të akredituar.

Inspektorati Shtetëror Shëndetësor nuk ka konstatuar shkelje ligjore, ndërsa Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar se nuk ka kryer analiza laboratorike të ushqimit. Po ashtu, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka përfunduar procedurën e kontrollit pa konstatuar shkelje dhe ka lejuar vijimin normal të aktivitetit të shoqërisë.

Të dhënat klinike tregojnë një panoramë tjetër. Edhe të dhënat mjekësore, sipas kompanisë, nuk përputhen me perceptimin e krijuar në opinionin publik.

Në episodin e parë, nga 45 persona të paraqitur në QSUT, 43 janë larguar brenda 1 deri në 4 orësh, ndërsa vetëm 2 kanë qëndruar më gjatë për monitorim. Në episodin e dytë, nga 67 persona të paraqitur, 66 janë larguar brenda 30 minutash deri në pak orë, ndërsa vetëm një person ka qëndruar i shtruar për disa ditë.

“Këto janë fakte zyrtare mjekësore, jo interpretime”, thekson kompania. Pikërisht për këtë arsye, “SORI-AL” vlerëson se mbrojtja e reputacionit të një biznesi nuk mund të trajtohet si një çështje dytësore, veçanërisht kur perceptimi publik është krijuar përpara përfundimit të verifikimeve zyrtare.

Ditët e fundit, institucionet shtetërore kanë reaguar ndaj dëmtimit të reputacionit të bizneseve përmes komenteve dhe vlerësimeve të rreme në rrjetet sociale, duke theksuar se mbrojtja e biznesit është një interes publik. “SORI-AL” shprehet se e mbështet këtë standard, por ngre një pyetje: Kur reputacioni i një biznesi dëmtohet nga komunikime apo veprime të vetë institucioneve publike, të cilat në fund nuk mbështeten nga dokumentet zyrtare të procedurave të tyre, kush mban përgjegjësi për dëmin e shkaktuar?

Në një shtet të së drejtës, e vërteta duhet të ketë të njëjtën jehonë publike si akuza.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb