Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), Jassem Mohammed Al-Budaywi, ka dënuar sulmet iraniane ndaj infrastrukturës civile në Bahrein, Jordani dhe Kuvajt, duke i cilësuar ato si “krime lufte”. Në një deklaratë zyrtare, Al-Budaywi tha se veprimet e Iranit përbëjnë një përshkallëzim të rrezikshëm dhe një shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara. “Veprimet e Iranit përbëjnë një përshkallëzim jashtëzakonisht të rrezikshëm, një shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së OKB-së, si dhe krime lufte, duke pasur parasysh shënjestrimin e qëllimshëm të infrastrukturës dhe objekteve civile”, deklaroi ai.

Reagimi vjen pasi Irani ndërmori sulme të reja ndaj aleatëve të Shteteve të Bashkuara në rajon dhe Jordanisë, pas një vale sulmesh amerikane ndaj objektivave ushtarake iraniane. Në Kuvajt, sulmet prekën një impiant shkripëzimi uji dhe detyruan Aeroportin Ndërkombëtar të Kuvajtit të pezullojë operacionet për shkak të kërcënimeve nga raketat dhe dronët. Garda Revolucionare iraniane deklaroi se kishte goditur një qendër mbështetëse ushtarake amerikane në Kampin Arifjan dhe kishte shkatërruar një instalim radarësh në Bazën Ajrore Ali Salem.

Ndërkohë, Korporata e Naftës së Kuvajtit njoftoi se një nga objektet e saj ishte goditur nga “sulme të përsëritura iraniane”, duke shkaktuar dëme materiale dhe të plagosur. Forcat e armatosura të Kuvajtit thanë se kishin neutralizuar raketa balistike dhe dronë iranianë, ndërsa disa zjarrfikës dhe punonjës të sektorit të naftës mbetën të plagosur.

Irani paralajmëron sulme të tjera

Teherani deklaroi se sulmet ndaj aleatëve të SHBA-së ishin kundërpërgjigje ndaj goditjeve amerikane ndaj urave, objekteve energjetike dhe infrastrukturës tjetër në Iran. Garda Revolucionare paralajmëroi se vendet aleate të Uashingtonit në rajon duhet të presin sulme të tjera. Ministria iraniane e Shëndetësisë deklaroi se 50 persona janë vrarë dhe mbi 500 janë plagosur nga sulmet amerikane gjatë tre javëve të fundit. Sipas mediave shtetërore iraniane, Garda shënjestroi gjithashtu një bazë ajrore në Bahrein, ku ndodhen avionë luftarakë amerikanë, si dhe një qendër të të dhënave të inteligjencës.

Irani pretendoi gjithashtu se kishte shkatërruar dy avionë luftarakë amerikanë dhe tre mjete të tjera ajrore gjatë një sulmi me raketa dhe dronë ndaj bazës amerikane Al-Azraq në Jordani. Këto pretendime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur. Sipas burimeve të cituara nga Reuters, Irani ka nisur gjithashtu sulme ndaj Arabise Saudite për herë të parë pas rreth tre muajsh. Sulmet shkaktuan alarme në zonën e Al-Kharj, pranë kryeqytetit Riad, dhe në Yanbu, në brigjet e Detit të Kuq. Një prej objektivave të dyshuara ishte Baza Ajrore e Princ Sultan, ku ndodhen forca amerikane. Autoritetet saudite nuk kanë dhënë detaje mbi shkakun e alarmeve, ndërsa Garda Revolucionare nuk ka përmendur sulme ndaj Arabisë Saudite. Përshkallëzimi i fundit ka rritur shqetësimet për një zgjerim të konfliktit në të gjithë rajonin e Gjirit Persik.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: