Nga Zylyftar Bregu
Në Platformën kofidenciale dhe profesionale të Integritetit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit
Qytetarë të ndryshëm, shumica pjesëmarrës në protestën maratonë prej fundit të muajit Maj kanë përdorur platformën Integrity Desk Albania, për të paraqitur ankesat e tyre në lidhje me indicentet e ndodhura në më shumë se 45 ditë protestë të përditshme (madje në disa ditë të veçanta edhe dy tubime brenda ditës).
Platforma e krijuar për të mbështetur qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile në promovimin e transparencës, integritetit dhe llogaridhënies në Shqipëri, ka bërë të mundur marrjen e ankesave të para nga qytetarët. Në përputhje me protokollin e platformës, të gjitha ankesat janë trajtuar në kofidencialitet të plotë, nga ekspertët ligjorë të KShH-së dhe duke mbrojtur të dhënat personale të qytetarëve. Bazuar në të dhënat që çdo ankesë ka referuar, në disa raste ato janë përcjellë pranë Institucioneve përgjegjëse për hetim dhe trajtim të mëtejshëm.
Fluksi më i madh i ankesave që janë paraqitur lidhet me tubimin e zhvilluar në datën 2 korrik 2026, i cili u shoqërua me disa incidente. Disa protestues u ankuan për ushtrim dhune jo proporcionale nga punonjës të policisë, pasi ishin neutralizuar, ose gjatë shoqërimit të tyre nga vendi i mbajtjes së protestës deri në dhomat e izolimit nëpër komisariatet e kryeqytetit. Ankesa pati edhe në lidhje me ofrimin e shërbimit shëndetësor nëpër dhomat e izolimit në komisariate nga njëra anë dhe nga ana tjetër në lidhje me mungesën e gadishmërisë për të evidentuar shenjat e dhunës nga ekspertët mjeko-ligjorë.
KShH bashkë me organizata të tjera në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut kanë bërë një reagim publik në lidhje me të gjitha ankesat e përcjella për protestën e 2 korrikut. “Në një shtet të së drejtës, dhuna ndaj policisë është e dënueshme por ajo nuk justifikon në asnjë situatë keqtrajtimin nga policia, ashtu si pretendimet për keqtrajtim nuk provohen apo rrëzohen me deklarata politike, shkruhet në deklaratën e organizatave të shoqërisë civile. Në të njëjtën kohë, KShH i është drejtuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për të filluar një hetim ex-officio, menjëherë dhe pa vonesë, në mënyrë të pavarur, të gjithëanshme dhe efektive.
Përveç këtyre në këtë platform janë depozituar dhe ankesa të tjera që lidhen me informacion mbi korruspionin, padrejtësi të ndryshme nga ana e administratës publike, apo sistemin e drejtësisë.
Protestuesit ankohen se ata po përballen me forma të ndryshme të intimidimit që synojnë ti shkurajojnë nga e drejta për të marrë pjesë në një tubim paqësor, si mesazhe të përcjella në rrjete sociale, nëpërmjet rrethit të tyre të ngushtë apo edhe shoqërime të papërligjura në polici. Me qëllim që KShH të vihet në lëvizje për secalin rast, duke u bazuar në të dhënat dhe informacionet që disponohen dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, ju inkurajojmë që ti raportoni këto shkelje, në mënyrë tëk konkretizuar, menjëherë në platformën tonë Integrity Desk Albania. Plotësimi i formularit ju kushton vetëm disa minuta.
Platforma Integrity Desk Albania synon të fuqizojë luftën kundër korrupsionit si dhe për të rriur transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve publike në nivel qendror dhe lokal, gjë që do të çojë në rezultate më të mira për qytetarët, dhe veçanërisht për komunitetet e margjinalizuara”
përmes mbështetjes së sigurt, profesionale dhe konfidenciale të atyre që janë “viktima” të korrupsionit, ose kanë informacion për akte korruptive.
