Një sulm iranian ndaj një termocentrali të shkripëzimit të ujit dhe prodhimit të energjisë në Kuvajt, i dyti brenda vetëm dy ditësh, ka shkaktuar zjarr në disa pjesë të objektit, njoftuan autoritetet kuvajtiane.

Ministria e Energjisë Elektrike, Ujit dhe Energjisë së Rinovueshme e Kuvajtit deklaroi se termocentrali u godit sërish, duke e cilësuar sulmin si një akt të rëndë.

“Si rezultat i sulmit iranian ndaj Kuvajtit, një termocentral i shkripëzimit të ujit dhe prodhimit të energjisë, për herë të dytë brenda dy ditësh, u bë objekt i një sulmi që shkaktoi zjarr në disa ambiente të tij”, thuhet në deklaratën e ministrisë, të publikuar në platformën X.

Autoritetet bënë të ditur se ekipet e zjarrfikësve janë dërguar menjëherë në vendngjarje dhe po punojnë për të vënë nën kontroll flakët. Deri tani nuk ka raportime për viktima apo të plagosur, ndërsa nuk janë bërë të ditura ende dëmet e plota të shkaktuara nga sulmi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb