Fillimisht ishte Thiago Motta ai që dëshironte ta sillte në Torino, por emri i Joshua Zirkzee nuk është larguar kurrë nga radarët e Juventusit. Sidomos tani, kur Paris Saint-Germain nuk është i gatshëm të heqë dorë nga Randal Kolo Muani, përveçse nëse plotësohet kërkesa prej 50 milionë eurosh, ndërsa Ekhator është tashmë i dëmtuar.

Për këtë arsye, drejtuesit e Juventusit, Giovanni Carnevali dhe Frederic Massara, kanë rikthyer vëmendjen te sulmuesi holandez i Manchester United, i cili ka lënë gjurmë edhe gjatë periudhës së tij te Bologna. Bardhezinjtë po vlerësojnë gatishmërinë e lojtarit për t’u rikthyer në Serie A, si edhe kushtet që vendos klubi anglez, ku Zirkzee nuk ka arritur të bindë plotësisht me paraqitjet e tij që prej transferimit në Premier League.

Sipas vlerësimeve, kartoni i 24-vjeçarit kushton rreth 35 deri në 40 milionë euro. Manchester United është i hapur edhe për formulën e huazimit, mundësisht me detyrim blerjeje në fund të sezonit.

Sa i përket pagës, ish-sulmuesi i Bayern Munich përfiton rreth 4 milionë euro në sezon, një shifër që përputhet me parametrat e rinj financiarë të Juventusit. Ai do të paguhej më pak se Jonathan David, i cili përfiton 6 milionë euro në sezon, dhe gjithashtu më pak se Kolo Muani, i cili, nëse transferimi realizohet, pritet të përfitojë rreth 5 milionë euro në vit.

Nëse negociatat përparojnë, Joshua Zirkzee mund të jetë një nga përforcimet më të rëndësishme që Juventusi do t’i vendosë në dispozicion trajnerit Luciano Spalletti.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: