Policia po heton në dy pista për zbardhjen e motivit të ngjarjes së rëndë në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku 35-vjeçari Refit Buzi dyshohet se vrau ish-vjehrrin e tij, plagosi ish-vjehrrën dhe më pas mori me forcë ish-bashkëshorten.
Pista kryesore që po hetohet lidhet me konfliktet pas ndarjes së çiftit. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se 35-vjeçari nuk e pranonte ndarjen e kërkuar nga ish-bashkëshortja dhe kjo mund të ketë qenë një nga shkaqet që çoi në përshkallëzimin e situatës.
Ndërkohë, hetuesit po verifikojnë edhe një pistë të dytë, që lidhet me marrëdhëniet familjare dhe çështje ekonomike mes palëve. Mësohet se Refit Buzi ka jetuar më herët në Angli dhe dyshohet se i dërgonte para vajzës së tij.
Policia po punon për të sqaruar nëse këto konflikte kanë pasur ndikim në ngjarjen e rëndë, ndërsa vijon operacioni për kapjen e 35-vjeçarit, i cili u largua nga vendi i krimit pas sulmit. Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm në Vidhisht të Roskovecit, ku mbeti i vrarë Kosta Plaka dhe u plagos bashkëshortja e tij, Belere Plaka. Ish-bashkëshortja e autorit dyshohet se u mor me forcë dhe u largua prej vendngjarjes.
