Gjermania, motori i ekonomisë evropiane, ka nisur një transformim të thellë ndërsa aspekti që është prekur më shumë është i i punësimit.
Analisti i DW, Auron Dodi ka komentuar për News24 situatën, ndërsa tha se brenda një viti të vetëm, industria humbi 185.000 vende pune ndërsa rreth 181.000 vende u hapën në shëndetësi, arsim e administratë.
“Pamja sipërfaqësore mund të duket e zymtë, por në fakt ka shumë forca, që e mbajnë në këmbë ekonominë gjermane. E para është baza: ekonomia gjermane ka bazë fiskale solide: me një borxh publik prej rreth 63 për qind të PBB-së, Gjermania qëndron shumë poshtë mesatares së Eurozonës (88%) apo Francës e Italisë, ku borxhi kalon 100%. Së dyti, produktiviteti gjerman për orë pune mbetet ndër më të lartët në Evropë, edhe pse rritja e tij ka ngecur (në nivelin e vitit 2021). Sipas IW Köln, në vitin 2024 produktiviteti mesatar i 27 vendeve të botës që u krahasuan mbeti 5 për qind pas Gjermanisë, ndërsa produktiviteti i vendeve të eurozonës ishte 11 për qind më pas. Së treti, Gjermania ka një fuqi punëtore shumë të kualifikuar dhe një rrjet universitetesh të lidhur ngushtë me ekonominë; me to vazhdon të kryesojë. Për momentin i mungon vrulli, por jo dituria”, u shpreh ai.
Intervista për News24:
Thuajse çdo javë ka lajme për shkurtime vendesh pune në koncernet e mëdha gjermane. Logjikisht duhet të shikonim një valë papunësie, po ajo nuk shihet. Si shpjegohet ky paradoks?
Pamja sipërfaqësore mund të duket e zymtë, por në fakt ka shumë forca, që e mbajnë në këmbë ekonominë gjermane. E para është baza: ekonomia gjermane ka bazë fiskale solide: me një borxh publik prej rreth 63 për qind të PBB-së, Gjermania qëndron shumë poshtë mesatares së Eurozonës (88%) apo Francës e Italisë, ku borxhi kalon 100%.
Së dyti, produktiviteti gjerman për orë pune mbetet ndër më të lartët në Evropë, edhe pse rritja e tij ka ngecur (në nivelin e vitit 2021). Sipas IW Köln, në vitin 2024 produktiviteti mesatar i 27 vendeve të botës që u krahasuan mbeti 5 për qind pas Gjermanisë, ndërsa produktiviteti i vendeve të eurozonës ishte 11 për qind më pas.
Së treti, Gjermania ka një fuqi punëtore shumë të kualifikuar dhe një rrjet universitetesh të lidhur ngushtë me ekonominë; me to vazhdon të kryesojë. Për momentin i mungon vrulli, por jo dituria.
Pastaj vijnë investimet, që pas katër vjetësh rënieje, po forcohen: instituti HRI i gazetës ekonomike “Handelsblatt” pret rritje 0,7 për qind të tyre, këtë vit dhe 0,9 për qind në 2027.
Por më interesantja është ajo që po ndodh pa bujë brenda tregut të punës. Brenda një viti të vetëm, industria humbi 185.000 vende pune — por: thuajse po aq vende të reja, rreth 181.000, u hapën në shëndetësi, në arsim e administratë. Punonjësit e fabrikave po bëhen, si të thuash, infermierë e nëpunës administrate: Gjermania po kthehet ngadalë në një shoqëri që rron më shumë nga shërbimet.
Edhe pse ekonomia po ristrukturohet, punësimi mbetet pothuajse i qëndrueshëm: 45.6 milionë të punësuar në 2026 — vetëm 157.000 më pak se një vit më parë —, 45.62 milionë në 2027, ndërsa papunësia rritet lehtë në 3.01 milionë. Gjermania nuk ndodhet para kolapsit. Ajo thjesht po kalon në një fazë të re zhvillimi.
A do të thotë kjo se problemet e Gjermanisë nuk janë aq të mëdha sa thuhet?
Problemet janë të mëdha — këtë s’e mohon askush. Gjermania po përjeton stanjacionin ekonomik më të gjatë që nga viti 1949. S’kemi të bëjmë me një dobësim të çastit, por me disa shndërrime që godasin njëherësh, siç i përshkruan ekonomisti i njohur Bert Rürup.
Nga njëra anë, vala e madhe e globalizimit, ajo që e pasuroi vendin, ka ndaluar. Më tej, furnizimi me energji po vihet mbi baza të reja. Ndërkohë konkurrentët kinezë po forcohen. Dhe plakja e popullsisë e ngadalëson rritjen.
Njëkohësisht, vala e gjatë e punësimit, e nxitur nga reformat e viteve 2000 të kancelarit Gerhard Schröder (Agjenda 2010), ka arritur në fund.
Por më e ndjeshme është diçka tjetër: që nga viti 2022, eksporti nuk e luan njësoj rolin e lokomotivës për ekonominë gjermane. Gjermania eksporton më pak drejt SHBA, për shkak të barrierave doganore të vendosura nga Uashingtoni; dhe nga ana tjetër, Kina po i përmbyt tregjet me mallrat e veta.
Disa madje shkojnë më tej. Në media dëgjohen krahasime me Republikën e Vajmarit — republikën demokratike të brishtë, që i hapi rrugën Hitlerit. A ka vërtet arsye për kaq frikë?
Jo. Ai krahasim, që e bëjnë edhe disa media gjermane, flet më shumë për nerva të tendosura sesa për gjendjen e vërtetë. Eksperti i njohur Albrecht von Lucke kujtoi së fundi se asnjë brez gjermanësh nuk ka jetuar ndonjëherë kaq mirë sa ky i sotmi. Gjermania ndodhet në një nivel të lartë dhe ankohet që nga ky nivel. Pra problemi është diku tjetër.
Njerëzit u mësuan të mendonin se rehatia e mirëqenia do të vazhdonte pa fund,si thuajse në tridhjetë vitet e fundit, pa investuar sa duhej në të ardhmen; si atëherë kur Gjermania mbështetej te gazi i lirë rus dhe te eksportet e saj.
Por kohët ndryshojnë. Ndërsa Republika e Vajmarit, kujtoj, ishte një republikë sapodalë nga Lufta e Parë Botërore, me një shoqëri mjaft të militarizuar, në prag të luftës civile. Krahasuar me atë kohë, përçarjet e sotme janë të vogla.
Sondazhet, sidoqoftë, tregojnë një shoqëri pesimiste. Me hak?
Do të thosha pjesërisht. Sondazhet regjistrojnë gjendjen e çastit. Politologia dhe studiuesja e së ardhmes, Florence Gaub shpjegoi në media, se po të shohësh më thellë, në studimet e shoqërisë gjermane, del në pah se kohezioni social ekziston: shtatëdhjetë për qind e gjermanëve kanë besim te bashkatdhetarët — po aq sa kanë te njëri-tjetri p.sh., finlandezët, ata që mbahen si populli më i lumtur në botë.
Atëherë pse është përhapur pesimizmi?
Nga njëra anë, sepse harrohet se konfliktet janë pjesë e natyrshme e demokracisë; e kur ato shtohen shumë, e gjithë bota na duket si krizë pa fund.
Nga ana tjetër, në shoqëritë perëndimore është përhapur një ndjenjë ngopjeje materiale, që shtron pyetjen edhe më të thellë: çfarë do të thotë sot të ecësh përpara?
Përparim, tradicionalisht, është kuptuar si përparim ekonomik — pra si shtim i pasurisë materiale. Një pjesë e njerëzve që nuk e kanë arritur këtë, vazhdojnë ta kërkojnë; por një pjesë tjetër, sidomos të rinjtë, kërkojnë diçka krejt tjetër: që të kenë kohë për të jetuar si dëshirojnë vetë, në vend që të akumulojnë pasuri materiale. Për shumë njerëz, sidomos pas pandemisë së Covid-19, koha personale po bëhet forma më e rëndësishme e pasurisë.
Çfarë po bën qeveria gjermane për ta përmirësuar situatën?
Shndërrimet që përmenda ende s’kanë një karakterizim të prerë; disa flasin për një boshllëk konceptual. Ajo që është e qartë është se marrëdhënia jonë me natyrën po ndryshon për shkak të inteligjencës artificiale, robotëve etj. Por se çfarë do të thotë kjo, ku do të çojë ky ndryshim ende nuk dihet. Dhe pikërisht ky boshllëk konceptual prodhon pasiguri — dhe i bën disa njerëz që të votojnë për ekstremet (të cilat premtojnë të kthejnë pas gjithçka, si ka qenë): për partinë ultra të djathtë AfD, ose për partinë “E Majta”.
Qeveria e kancelarit Friedrich Merz, nga ana e vet, së fundi miratoi disa reforma të nevojshme. Ekonomisti i njohur Marcel Fratzscher i tha DW-së se reformat në shëndetësi, në pensione e në tatime ecin në drejtimin e duhur — por mbeten hapa të druajtur. Kthesën e vërtetë ai e shpreson te pesëqind miliardë eurot investime publike gjatë dymbëdhjetë vjetëve, për të cilat ra dakord qeveria Merz, sapo erdhi në pushtet. Çështja është sa prej tyre do të investohen — dhe sa shpejt. Sepse në fund, e ardhmja nuk vendoset nga shifrat, por nga guximi për veprim.
