Antoni Xhoshua mposhti me nokaut në raundin e dytë boksierin shqiptar, Kristian Prenga, teksa në prononcimin e dhënë për DAZN menjëherë pas përfundimit të duelit, ish-kampioni britanik falënderoi tifozët për mbështetjen, ndërsa vlerësoi edhe Prengën dhe ekipin e tij për përballjen.

“Para së gjithash dua t’i falënderoj të gjithë që erdhën sonte. Gjithashtu dua t’i them një faleminderit të madh Kristian Prengës dhe ekipit të tij”, deklaroi Joshua, duke treguar respekt për kundërshtarin që e vuri në vështirësi në fillim të sfidës.

Megjithatë, intervista mori një kthesë interesante kur Joshua e ndërpreu veten për të pyetur nëse Tajson Furi ndodhej në sallë.

“Prisni një minutë, a është Tajson Furi këtu? Tani të kalojmë te gjërat më të rëndësishme. A është këtu apo jo?”, tha ai, përpara se të lëshonte një deklaratë të fortë në drejtim të rivalit të tij.


“Do t’ia shqyej zemrën. Jam kampioni më i ashpër dhe më i pamëshirshëm që ka ekzistuar ndonjëherë. Askush nuk mund të më ndalë”, u shpreh Xhoshua.

Pak çaste më vonë, ai zbuti tonin, duke theksuar se deklaratat ishin pjesë e atmosferës së boksit dhe se rivaliteti nuk përjashton respektin.

“Me gjithë shakatë, ka dy anë të kësaj. Duhet ta kesh atë zjarrin brenda, atë energjinë. Por ekziston edhe respekti. Unë respektoj gjithçka që Tajson Furi ka bërë dhe ka arritur në karrierën e tij. Megjithatë, kam kërkuar këtë ndeshje prej një kohe të gjatë dhe tani jemi këtu”, përfundoi Xhoshua.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb