Gazetarja dhe aktivistja Elsa Demo ka mbajtur një fjalim të fortë nga protesta para Kryeministrisë, ku ka ngritur shqetësime për gjendjen sociale, mjedisore dhe kulturore në vend.
Ajo e nisi fjalën duke iu referuar zonës së Patos-Marinzës, duke thënë se aty pasqyrohen problemet me papunësinë dhe kushtet e punës.
“Vij nga një vend që meriton të flitet në këtë shesh. Ai vend është Patos-Marinza, me fusha të tëra nafte ku kanë punuar prindërit dhe motrat tona. Është një zonë me papunësi, ku të rinjtë pranojnë kushte pune si në Mesjetë, ndërsa drejtësia, sipas saj, vetëm pretendon se heton Bankers Petroleum”, deklaroi Demo.
Më tej, ajo u ndal te shembja e Teatrit Kombëtar, duke e cilësuar atë si një pikë kthese për zhvillimet që, sipas saj, pasuan në vend.
“Pas Teatrit u sulën zonat e mbrojtura, ku morën hov përbindëshat e betonit. Nuk ia del të sigurosh një strehë. Pas Teatrit u dogjën pyje në Darëzezë dhe Pishporo për t’i bërë resorte. Çfarë do të bëhet me pishat dhe rërën e plazhit tim të fëmijërisë?”, u shpreh ajo.
Demo akuzoi gjithashtu autoritetet për shkatërrimin e pyjeve dhe neglizhencë ndaj trashëgimisë kulturore.
“Kanë shkatërruar pyjet njësoj si bibliotekat. As varrezave nuk u dihet fati. Për të vdekurit tanë kush do të kujdeset?”, tha ajo. Në fjalën e saj nuk munguan as kritikat ndaj mediave, duke pretenduar se një pjesë e tyre janë kthyer në instrument propagande.
“Pas Teatrit, Kinostudio iu fal mediave. Bojkotojini ato top kanale, goditini te plehrat e propagandës, që nuk ka inceneratorë që i djegin”, deklaroi Demo.
Sipas saj, politika ka ndikuar edhe në deformimin e elitës intelektuale. “Pas Teatrit janë ata që thuhet se ishin ‘ajka e kombit’, por që politika i korruptoi për një pjatë supë apo një kredi të butë”, përfundoi ajo.
