Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se operacionet ushtarake amerikane i kanë shkaktuar dëme të rënda forcave të armatosura iraniane, duke pretenduar se marina, forca ajrore, udhëheqja ushtarake dhe një pjesë e konsiderueshme e sistemeve të mbrojtjes ajrore të Iranit janë shkatërruar.
Duke folur në një aktivitet në një impiant të General Motors në Michigan, Trump tha gjithashtu se SHBA-ja ka goditur rëndë kapacitetet iraniane për prodhimin e dronëve dhe raketave.
“Kemi shkatërruar marinën e tyre, forcën e tyre ajrore, udhëheqjen e tyre dhe sistemet e tyre kundërajrore. Po e mposhtim Republikën Islamike të Iranit”, deklaroi ai. Trump theksoi se administrata e tij është e vendosur të mos lejojë Iranin të pajiset me armë bërthamore.
“Po sigurohemi që ata të mos kenë kurrë një armë bërthamore”, u shpreh presidenti amerikan. Ai pretendoi gjithashtu se kapaciteti i Iranit për prodhimin e dronëve është reduktuar ndjeshëm. “Dronët e tyre tani prodhohen me vetëm rreth 7% të kapacitetit të mëparshëm”, tha Trump, duke argumentuar se sulmet amerikane kanë dëmtuar rëndë industrinë ushtarake iraniane. Presidenti amerikan deklaroi se presioni ushtarak i SHBA-së e ka detyruar Teheranin të rikthehet në tryezën e negociatave.
“Ata po flasin me ne tani për të arritur një marrëveshje. Nëse nuk do të kishim vepruar kaq ashpër, nuk do të kishte bisedime”, tha ai. Në të njëjtën kohë, Trump sulmoi ish-presidentin Barack Obama, duke kritikuar qasjen e administratës së tij ndaj Iranit. “Barack Obama mendonte se mund ta blinte Iranin. Nuk mund ta blesh. Duhet ta mundësh dhe ne po i shtypim”, deklaroi Trump.
Megjithatë, ai shtoi se kontaktet diplomatike mes Uashingtonit dhe Teheranit po zhvillohen në një atmosferë pozitive. “Do të shohim se si do të përfundojë e gjithë kjo. Po zhvillohen negociata shumë miqësore tani”, u shpreh presidenti amerikan. Deklaratat e Trump vijnë në një kohë kur kontaktet mes SHBA-së dhe Iranit vijojnë, ndërsa nuk janë bërë publike detaje mbi ecurinë e negociatave apo mbi pretendimet e presidentit amerikan për efektet e operacioneve ushtarake.
