Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka bërë thirrje për ndalimin e sulmeve ksenofobike ndaj ukrainasve që jetojnë në vend, pas një sërë incidentesh të dhunshme që kanë rritur shqetësimet për tensionet në rritje mes dy komuniteteve. Reagimi i Tusk erdhi pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku tre shtetas polakë shihen duke dhunuar një burrë ukrainas dhe partneren e tij në qytetin e Wroclaw, pas një konflikti në një dyqan. Dy prej autorëve të dyshuar u arrestuan të hënën.

“Kushdo që kryen akte të tilla të urryera po vepron drejtpërdrejt kundër interesave të Polonisë. Ju po i shërbeni nacionalizmit rus dhe ekstremizmave që synojnë të përçajnë polakët dhe ukrainasit,” deklaroi Tusk gjatë mbledhjes së kabinetit. Megjithëse Polonia mbetet një nga mbështetëset më të forta të Ukrainës në luftën kundër Rusisë, qëndrimi ndaj refugjatëve ukrainas është përkeqësuar vitet e fundit. Entuziazmi dhe solidariteti i treguar pas pushtimit rus në vitin 2022 është zëvendësuar gradualisht nga lodhja sociale dhe rritja e tensioneve.

Marrëdhëniet mes Varshavës dhe Kievit janë ndikuar edhe nga mosmarrëveshjet historike, veçanërisht pas vendimit të Ukrainës për të emërtuar një njësi ushtarake sipas një grupi nacionalist të Luftës së Dytë Botërore, të cilin Polonia e lidh me masakrat ndaj civilëve polakë. Sipas të përditshmes polake Rzeczpospolita, policia ka regjistruar 180 kallëzime për krime urrejtjeje ndaj ukrainasve vetëm në gjysmën e parë të vitit 2026, një rritje prej 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ditët e fundit janë raportuar edhe incidente të tjera të ngjashme. Në Poznań, një 60-vjeçar polak u dhunua pasi ndërhyri për të mbrojtur një të ri ukrainas që po sulmohej verbalisht. Në Bielsko-Biała, një 54-vjeçar u filmua duke ofenduar dy gra ukrainase për shkak të origjinës së tyre, ndërsa në Legnica një grua 26-vjeçare u vu nën akuzë pasi dyshohet se sulmoi dy vajza 13-vjeçare ukrainase për motive etnike. Ambasadori i Ukrainës në Poloni, Vasyl Bodnar, i cilësoi këto incidente të papranueshme dhe shprehu besimin se autorët do të përballen me drejtësinë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb