Aktivistja Sidorela Vatnikaj, në ditën e 60 të protestës, tha se ky organizim jetëgjatë, tregon që shoqëria shqiptare ka gjetur veten dhe se nuk pret më të thirret nga një lider, sot është në shesh dhe tregon këtë qeverisje të ndërtuar vetëm me gënjeshtra të kryeministrit Rama.
Gjatë intervistës në “News24”, Vatnikaj theksoi se shqiptarët janë në revoltë për shkak të keqqeverisjes, korrupsionit, krimit dhe arrogancës së qeverisë. Ndërsa shtoi se shqiptarët kërkojnë të jetojnë me dinjitet të mos vidhen më dhe të mos qeverisen nga krimi i organizuar.
“Njerëzit janë në shesh, e shikojnë që janë shumë, të vendosur dhe nuk kanë frikë. Për 60 ditë janë bullizuar nga kryeministri, janë trajtuar pa dinjitet, janë dhunuar nga policia dhe asnjë kërkesë nuk është marrë seriozisht, tani ka dalë dukshëm në pah arroganca e pushtetit. Ne nuk kemi votuar që krimi të jetë në qeveri, që oligarkët të jenë në qeveri. Sistemi i patronazhistëve është bërë i frikshëm kohët e fundit, por njerëzit janë të vendosur për t’i shkuar deri në fund procesit që demokratizon shoqërinë shqiptare”, tha ajo.
Gjithashtu Vatnikaj u ndal edhe tek rasti i një nëne me fëmijë me aftësi ndryshe, për të cilën tha se u bullizuan nga kryeministri Edi Rama.
“Nuk ka hapësira negocimi me kryeministrin. Jemi mësuar që Rama t’i inskenojë format teatrale të të bërit dialog…Por ne kemi thënë që ditën e parë, nuk kemi më për të folur e dialoguar me kryeministrin Edi Rama. Kontratën që ai e mendon që ta prezantojë e ka shkelur para 60 ditësh. Sot protestuesit kërkojnë një proces të ri demokratizues, dhe kjo fillon me dorëheqjen e Ramës. Sot flasim për një ndryshim sistemi. Nuk mund të kemi më autokratë të tillë. Sa herë premton ka një plan për të vjedhur më shumë. Edhe socialistët edhe ata që e kanë votuar nuk e besojnë më. Rama ka ndërtuar një sistem kriminal dhe autokratik”, tha ajo.
