Në kohë normale, udhëheqja është barrë. Në kohë të trazuara, ajo është provë karakteri. Në Shqipëri spektakli është rregull i pushtetit. Udhëheqja është shndërruar në rol dhe shteti në skenografi. Mund të ndryshosh sa të duash ngjyrën e gjyslykëve. Sot të kuq, nesër blu dhe pasnesër gri. Kjo lojë me pasqyrën mund të kënaq syrin e kamerës, por ajo nuk ndryshon dot Shqipërinë. Nuk ndryshon dot arsimin. Nuk ndryshon dot shëndetësinë. Nuk ndryshon dot drejtësinë, administratën, sigurinë, bujqësinë dhe ekonominë. Këto nuk janë aksesorë që zëvendësohen me stinët e humorit politik. Janë thelbi i shtetit.

Shtet-ndërtimi s’është as podium, as spot televiziv. Ai është mekanizëm përgjegjësish. Aty çdo vendim lë gjurmë në jetë njerëzish. Këtu e kanë harruar këtë peshë. Prandaj, demokracia ka hyrë në fazën e saj më të rrezikshme. Iluzionet po na paraqiten si institucione.

Thuhet se mirëqenia e popullit është qëllimi suprem. Por realiteti flet me zë më të ulët e më ftohtë. Ai që punon me pushtetin ndërton pa leje, ditën me diell, mu në mes të Tiranës, në bregdet e në mal. Kudo ku syri duhet të shohë por vendos që të mos shohë. Kjo nuk është dobësi administrative. Ky është treguesi më i qartë se administrata e drejtësia janë të përkulura ndaj pushtetit, jo të pavarura prej tij.

Nuk qeveriset një vend me regji. Prej kohësh politika shqiptare mbahet gjallë nga forma pa përmbajtje. Nga simbole pa substancë. Nga dekorata pa meritë.

Mbeturina e monizmit na shfaqet përjetësisht si “udhëheqësi reformator”. Por ai s’shpjegon kurrë pse institucionet rrëzohen njëra pas tjetrës? Pse truri i vendit vazhdon që të largohet në heshtje? Ndërkohë flitet për forcimin e lekut si arritje. Ndërsa familjet shqiptare bëjnë një llogari tjetër, shumë më të thjeshtë. Sa mund të blejnë me pagën që marrin? Kursi i këmbimit është abstraksion për ata që as eksportojnë dhe as importojnë. Fuqia blerëse është realiteti i çdo dite. Nëse pagat rriten më ngadalë se çmimet, shqiptari është më i varfër.

Qeverisja është kthyer në spektakël. Estetika ka zënë vendin e etikës. Efekti mediatik ka zëvendësuar dialogun qytetar. Çdo zë kritik etiketohet si armik, i ardhur nga “skutat e së shkuarës”. Hijet ndjekin nga pas. Ndërkohë që zëri vjen nga brezat e rinj që s’kanë lidhje partie. Ata kanë vetëm shqetësime të përbashkëta. E vërteta, ndryshe nga skena, nuk kontrollohet me ndriçim.

Në një republikë të shëndetshme, lidershipi flet pak dhe dëgjon shumë. Por, mbetjet e monizimit flasin vazhdimisht. Ata zënë hapësirën e të tjerëve. Bëjnë gjithçka vetë. Zbehin institucionet. Forma ka zëvendësuar përmbajtjen. Askush nuk di më ku është përgjegjësia, por të gjithë e dinë kush është përgjegjësi. Sot, gjithçka rrotullohet rreth një figure që ka asgjësuar gjithçka tjetër.

Një shoqëri që nuk pranon gabimet, nuk përmirësohet kurrë. Ajo thjesht prodhon alibi, brez pas brezi. Nuk ka vizion pa përgjegjësi. Lideri nuk është i madh se flet bukur, por se përgjigjet për realitetin. Suksesi matet me ndikimin që ai lë tek ata që nuk e kanë një zë. Qeverisja është përgjegjësi morale, jo teknikë për të ruajtur pushtetin.

Lideri i vërtetë nuk shet iluzione. Nuk trembet as nga pasqyra, as nga kritika dhe as nga heshtja. Prej 61 ditësh, shqiptarët kanë dal vetë në shesh. Për herë të parë ata po dalin për Shqipërinë, jo për partinë. Ndërkohë pushteti përgjigjet me përbuzje në vend të dialogut. Regjia e ka humbur kontrollin mbi realitetin.

Njerëzit po dalin sot në protestë jo për një çështje të vetme e të izoluar, por për çdo fushë të jetës së tyre. Arsimin që s’i përgatit. Shëndetësinë që s’i shëron. Drejtësinë që s’i mbron. Administratën që s’funksionon. Ekonominë që s’i mban. Ky pushtet ka prodhuar vetëm mungesë shprese. Vetëm braktisje masive të vendit.

Revolucioni Flamingo nuk është zëri i një grupi. Ai është jehona e një populli që e ka kuptuar se ngjyra e gjyslykëve nuk ka lidhje me ngjyrën e së ardhmes së tij. Ka ardhur koha që të heshtim zërin e aktorit, dhe të dëgjojmë zërin e ndërgjegjes kombëtare. Vetëm ai zë mund ta rindërtojë republikën e shqiptarëve për shqiptarët.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: