Në hijen e tragjedisë së djeshme, ku dy pilotë humbën jetën pas përplasjes së dy helikopterëve zjarrfikës, zjarri masiv në Atikën Perëndimore vazhdon të jetë jashtë kontrollit për të katërtën ditë radhazi.
Forcat zjarrfikëse po luftojnë në dy fronte kryesore. Njëri ndodhet në zonën e Shën Parashës, ku ekipet po veprojnë në Kryo Pigadi. Flakët kanë shkaktuar dëme të mëdha në banesa, ndërsa situata mbetet veçanërisht e vështirë në zonën e Loupës, pranë Vilias.
Fronti i dytë është drejt Megarës, ku zjarri po përparon në drejtim të poligonit të qitjes në Kandili dhe vendbanimit Agia Skepi.
Departamenti i Zjarrfikësve dhe Policia Greke kanë nisur një operacion të gjerë evakuimi në zonën e Kandilit, ndërsa flakët po afrohen rrezikshëm drejt Agia Skepit.
Banorëve të Kandilit, Agia Skepit dhe Bosikës u është kërkuar të largohen menjëherë drejt Nea Peramos. Forca të shumta policore po patrullojnë me sirena dhe altoparlantë, duke u bërë thirrje banorëve të braktisin shtëpitë për arsye sigurie.
Ndërkohë, buldozerë dhe makineri të rënda të Rajonit, Mbrojtjes Civile dhe bashkive, të shoqëruara nga zjarrfikësit, po hapin korridore mbrojtëse dhe rrugë hyrëse për të frenuar përhapjen e flakëve.
Sipas analizës së të dhënave satelitore të mekanizmit evropian Copernicus EMS, të përpunuara nga METEO dhe Observatori Kombëtar i Athinës, deri në mesditën e së dielës janë djegur rreth 111 mijë hektarë në Atikë dhe Beoti.
Nga kjo sipërfaqe, rreth 30.900 hektarë janë shkrumbuar në zjarrin e Beotisë, ndërsa rreth 80.800 hektarë në zjarrin e Porto Germenos në Atikë, i cili vazhdon ende të jetë aktiv.
Të dhënat janë përpunuar nga imazhet me rezolucion të lartë të satelitit Sentinel-2, i cili kaloi mbi zonat e prekura në mesditën e 2 gushtit, duke konfirmuar përmasat e mëdha të katastrofës mjedisore.
