Personazhet më të famshëm të Disney-t pritet të bëhen pjesë e përditshmërisë së miliona përdoruesve në TikTok, pas një marrëveshjeje të re që ndryshon mënyrën se si fansat do të krijojnë dhe shpërndajnë përmbajtje online.

Universet ikonike të Marvel, Pixar, Star Wars dhe ekskluzivitete të tjera të kompanisë amerikane do të jenë të aksesueshme për krijuesit e videove të shkurtra, duke u dhënë atyre mundësinë të përdorin materiale zyrtare pa u përballur me kufizimet tradicionale të të drejtave të autorit.

Në kuadër të partneritetit të ri me TikTok, klipet nga filmat dhe serialet e Disney-t do të mund të shfaqen në videot e përdoruesve, ndërsa përmbajtja do të jetë e integruar edhe në platformën e videove të shkurtra të vetë Disney-t, Verts.

Programi do të nisë fillimisht në Shtetet e Bashkuara dhe më pas pritet të zgjerohet në tregje të tjera.

As Disney dhe as TikTok nuk kanë bërë publike detaje financiare të marrëveshjes. Partneriteti vjen pas dështimit të një marrëveshjeje prej 1 miliard dollarësh mes Disney dhe OpenAI, e cila do t’u lejonte përdoruesve të krijonin video me personazhet e Disney përmes inteligjencës artificiale. Marrëveshja u anulua në mars, pasi OpenAI ndërpreu mjetin e krijimit të videove Sora dhe vendosi të fokusohej në fusha të tjera.

“Kjo ditë vjen në një kohë kur fansat po i festojnë historitë tona në mënyra krejtësisht të reja”, tha kreu i marketingut dhe zhvillimit të biznesit të Disney-t, Asad Ayas, pas njoftimit të marrëveshjes.

Në një deklaratë të përbashkët, dy kompanitë theksuan se ndërveprimi i audiencës në rrjetet sociale, përfshirë videot e krijuara nga fansat, po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në industrinë e argëtimit.

Sipas TikTok, gjatë vitit të kaluar platforma ka pasur mesatarisht rreth 6.5 milionë postime në ditë që lidhen me filma dhe seriale televizive.

Deri tani, shumë përdorues kanë përdorur fragmente nga filmat dhe serialet në videot e tyre, por shpesh këto përmbajtje janë hequr për shkak të pretendimeve për shkelje të të drejtave të autorit.

Marrëveshja e re shihet si një hap i rëndësishëm për Disney-n, e cila po synon të shfrytëzojë më shumë fuqinë e krijuesve të përmbajtjes dhe influencuesve në promovimin e markave të saj. Ndërkohë, kompania ka nisur që prej marsit operimin e platformës së saj të videove të shkurtra Verts në SHBA, me synimin për një zgjerim ndërkombëtar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb