Aktivistja Arvina Lleshi ka bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e 24 shtatorit para Parlamentit, duke kundërshtuar projektligjet që lidhen me zonat e mbrojtura, Paketën e Maleve dhe investimet strategjike.
Në fjalën e saj, Lleshi theksoi se ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë, pavarësisht pushtetit, pasurisë apo pozitës që mbajnë.
“Ligji nuk është bërë vetëm për qytetarin e thjeshtë, ligji është bërë për të gjithë. Edhe për atë që ka pushtet, për atë që ka lekë, që ka lidhje, edhe për atë që ulet në zyrën më të madhe të shtetit”, deklaroi ajo.
Aktivistja u shpreh kritike ndaj mënyrës se si, sipas saj, hartohen ligjet në Shqipëri dhe u bëri thirrje qytetarëve që të lexojnë vetë projektligjet që pritet të shqyrtohen në Kuvend.
“A e dini që në Shqipëri ligjet i bëjnë ata që nuk dinë të lexojnë, të artikulohen dhe jo më të bëjnë ligje? E dini që të enjten, më 24 shtator, pritet të votohen në Parlament projektligjet antishqiptare për zonat e mbrojtura, për Paketën e Maleve dhe për investimet strategjike?”, tha Lleshi.
Ajo u kërkoi qytetarëve të shohin vetë se çfarë ndryshojnë këto nisma ligjore, kush përfiton prej tyre dhe çfarë i mbetet qytetarit.
“Unë ju ftoj që t’i lexoni vetë, shikoni çfarë ndryshojnë, kush përfiton dhe çfarë i mbetet qytetarit në fund”, u shpreh aktivistja.
Lleshi theksoi se Shqipëria nuk duhet të konsiderohet pronë e qeverisë apo e një grupi njerëzish që ndodhen në pushtet.
“Duhet të jetë e qartë, Shqipëria nuk është e qeverisë, nuk është e një grushti njerëzish që sot janë në pushtet dhe nesër mund të mos jenë. Shqipëria është e jona, është e njerëzve që punojnë çdo ditë, është e atij që zgjohet në 5 të mëngjesit për të shkuar në punë, është e fermerit, është e mësuesit, është e mjekut, studentit, emigrantit që ka ikur nga halli dhe jo nga dëshira.
Është e çdo shqiptari që do të jetojë me dinjitet në vendin e vet”, deklaroi ajo.
Në vijim, aktivistja bëri thirrje për bashkim pavarësisht bindjeve të ndryshme politike, duke renditur si çështje të përbashkëta drejtësinë, pronat, natyrën dhe funksionimin e institucioneve.
“Ne, me të vërtetë, mund të kemi bindje të ndryshme, por për disa gjëra duhet të jemi të gjithë bashkë. Për drejtësinë, për pronat dhe për natyrën. Për institucionet që respektojnë qytetarin, për një shtet ku ligji nuk ndryshon sipas emrit që ke”, tha Lleshi.
Në fund, ajo përsëriti thirrjen për pjesëmarrje në protestën e 24 shtatorit para Parlamentit.
“Më datë 24 shtator, ju ftoj të gjithë qytetarët të jeni para Parlamentit. Për t’u thënë edhe një herë që nuk na përfaqësoni”, përfundoi aktivistja.
