Profesori Lush Susaj mbajti një fjalim para protestuesve të mbledhur përpara Kryeministrisë, ku bëri thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa u ndal edhe te arsimi, emigracioni, bujqësia dhe gjendja e vendit. Në nisje të fjalës së tij, Susaj përshëndeti qytetarët pjesëmarrës në protestë dhe vlerësoi angazhimin e tyre.

“Mirëmbrëma qytetarë! Jo më Rama, jep dorëheqjen. Rama, shporru, na lër të qetë në trojet tona. Duhet ta nisim me një respekt të veçantë për çdo protestues dhe çdo qytetar që e kupton përgjegjësinë historike”, u shpreh ai.

Profesori tha se mijëra maturantë po përgatiten të largohen për studime jashtë vendit dhe u bëri thirrje të zgjedhin universitetet shqiptare. “Janë 26 mijë e 600 maturantë të Shqipërisë që po përgatiten të studiojnë jashtë, pasi në vendin tonë ka rënë kolera e dijes. I bëj thirrje këtyre maturantëve: mos ikni, por regjistrohuni në universitetet e Shqipërisë. Ne do t’i kthejmë universitetet tona në universitete të edukimit dhe jo në universitete të punësimit nepotik e hajdutëror të partisë. Do t’i kthejmë shkollat në shërbim të qytetarëve, jo siç janë sot, në shpella të zeza ku krijohen servilë”, deklaroi Susaj.

Ai u bëri thirrje edhe pedagogëve dhe fermerëve të reagojnë ndaj situatës në vend. “I bëj thirrje profesorëve, nëse nuk e kanë ngrënë lugën e çorbës së korrupsionit, ngrihuni për fëmijët tuaj dhe nxënësit tuaj. I bëj thirrje fermerëve: ngrihuni në sheshet e lirisë, mbroni produktet tuaja. Rruga e ikjes është rruga e turpit. Mos ikni, qëndroni këtu. Sot e një mijë vjet, toka e shqiptarëve është e vetmja tokë e pambjellë, e lënë djerrë. Shkretë e kanë lënë politikat e kësaj qeverisjeje”, tha ai.

Në vijim të fjalës, Susaj kritikoi politikat në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë. “Produktet blegtorale të Shqipërisë janë të vetmet produkte të rajonit që nuk mund të qarkullojnë në Bashkimin Evropian. Kjo qeveri i ka shpallur luftë veterinerëve dhe agronomëve. Popullsia është e rrezikuar nga mungesa e planeve. Dilni në sheshet e lirisë”, u shpreh profesori.

Në përfundim, ai kujtoi poetin e ndjerë Avzi Nela dhe bëri thirrje për bashkim. “Muaji gusht është muaji i vrasjes mizore të poetit Avzi Nela. Vargjet e Nelës janë aktuale edhe sot. Ju sugjeroj shqiptarëve të mi të mblidhen që të largojmë ata që e kanë futur Shqipërinë nën këmbë. Rroftë çdo shqiptar, rroftë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rroftë drejtësia shqiptare. U bëftë drejtësia shqiptare”, përfundoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: