Një fermer 68-vjeçar në Mbretërinë e Bashkuar është dënuar me burg dhe me një gjobë prej 600 mijë paundësh, pasi shkaktoi dëme të mëdha në një lumë të mbrojtur, në një rast që autoritetet britanike e kanë cilësuar si një nga shkeljet më të rënda mjedisore të viteve të fundit.
John Price ndërhyri në shtratin e lumit Lugg, në Herefordshire, gjatë vitit 2023, me qëllim ndërtimin e një rruge private dhe krijimin e më shumë hapësirës për kuajt e tij. Për realizimin e punimeve ai përdori makineri të rënda, duke nxjerrë sasi të mëdha zhavorri nga fundi i lumit dhe duke prerë 71 pemë përgjatë brigjeve. Sipas autoriteteve, këto ndërhyrje ndryshuan rrjedhën natyrore të ujit dhe morfologjinë e shtratit të lumit, ndërsa brigjet mbetën të pambrojtura ndaj erozionit.
Ekspertët theksojnë se pemët luanin një rol thelbësor në ruajtjen e ekosistemit, pasi rrënjët e tyre stabilizonin tokën, ndërsa hijet që krijonin ndihmonin në ruajtjen e temperaturës së ujit. Shkatërrimi i kësaj bimësie solli pasoja të rënda për habitatin natyror, duke rrezikuar mbijetesën e peshqve, insekteve dhe organizmave të tjerë që jetonin në lumin Lugg.
Gjykata britanike vlerësoi se veprimet e fermerit nuk përbënin një punim të zakonshëm në pronën e tij, por një krim të rëndë ndaj një habitati të mbrojtur. Për këtë arsye, Price u dënua me burgim dhe u urdhërua të paguante një gjobë prej 600 mijë paundësh, ose rreth 700 mijë euro.
Megjithatë, sipas autoriteteve, ndëshkimi financiar nuk mjafton për të riparuar dëmin e shkaktuar. Ekspertët vlerësojnë se lumit Lugg do t’i nevojiten të paktën 30 vjet restaurim dhe monitorim të vazhdueshëm për t’u rikthyer në gjendjen e tij natyrore, ndërsa rasti konsiderohet një precedent i fortë në luftën kundër krimeve mjedisore në Mbretërinë e Bashkuar.
