Protesta e banorëve të Divjakës kundër bashkimit të bashkisë me Lushnjen ka hyrë në ditën e tetë, ndërsa qytetarët vijojnë të kërkojnë që Divjaka të ruajë statusin e saj si bashki më vete.

Edhe gjatë mbrëmjes së së premtes, banorët e Divjakës dhe të njësive administrative përreth janë mbledhur në protestë, duke përsëritur të njëjtin qëndrim: kundërshtimin e projektit të reformës territoriale që parashikon shkrirjen e bashkisë së tyre me Lushnjen.

Gjatë tubimit, mikrofoni ka qenë i hapur për qytetarët, të cilët kanë shprehur shqetësimet e tyre dhe kanë kërkuar që vendimmarrja të marrë parasysh vullnetin e komunitetit.

Në shenjë proteste, disa pjesëmarrës kanë djegur kartat e anëtarësisë së Partisë Socialiste, ndërsa organizatorët kanë nisur mbledhjen e firmave për një peticion që do t’u drejtohet institucioneve shtetërore, me kërkesën për anulimin e ndryshimeve të propozuara territoriale.

Protesta është mbyllur edhe këtë mbrëmje me një marshim të qytetarëve në rrugët e qytetit të Divjakës.

Banorët deklarojnë se do të vijojnë protestat deri në marrjen e një vendimi që, sipas tyre, garanton vazhdimin e funksionimit të Divjakës si bashki më vete.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb