Detaje të reja dalin në dritë nga shpërthimi me tritol në banesën e një 72-vjeçari në Tufinë. Pas identifikimit të tre vëllezërve Alla si autorë të dyshuar, janë zbardhur edhe detaje mbi motivin që dyshohet se fshihet pas ngjarjes. Ervis Alla, Altin Alla dhe Maksim Alla, të cilët kanë një mobileri në Fushë-Krujë, dyshohet se kishin një konflikt financiar me djalin e 72-vjeçarit, në banesën e të cilit u vendos lënda plasëse.
Sipas të dhënave paraprake, djali i 72-vjeçarit kishte bërë një porosi për disa mobilje në mobilerinë e tre vëllezërve, por nuk kishte kryer pagesën. Prej disa ditësh, vëllezërit Alla dyshohet se e kishin kërkuar dhe kërcënuar për shlyerjen e borxhit, por nuk kishin mundur të merrnin paratë. Në këto kushte, dyshohet se kanë vendosur t’i japin një “mesazh” me tritol, duke e vendosur lëndën plasëse në derën e banesës ku jetonte babai i tij.
Tre vëllezërit dyshohet se kanë udhëtuar me një automjet drejt Tufinës, kanë vendosur lëndën plasëse në derën e banesës dhe më pas janë larguar nga vendngjarja. Shpërthimi ndodhi rreth orës 00:30 dhe shkaktoi vetëm dëme të pakta materiale. Fatmirësisht, nuk pati persona të lënduar.
Tashmë, një nga pistat kryesore të hetimit është gjurmimi i automjetit me të cilin dyshohet se kanë lëvizur autorët. Policia po analizon pamjet e kamerave të sigurisë përgjatë itinerarit, me qëllim dokumentimin e lëvizjeve të tyre dhe sigurimin e provave të tjera. Tre vëllezërit Alla janë shpallur në kërkim dhe akuzohen për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim. Policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
