Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se do të kërkojë kompensim financiar nga Irani për personat që, sipas tij, janë vrarë ose plagosur rëndë nga Teherani.

Deklarata e Trump vjen pasi Irani ka kërkuar kompensim për dëmet e shkaktuara nga sulmet amerikane dhe izraelite. Në një postim në Truth Social, presidenti amerikan shkroi se tashmë edhe ai po kërkon dëmshpërblim nga Irani.

Trump

“Është një ide interesante sepse tani po kërkoj gjithashtu kompensim nga Irani, për të gjithë njerëzit që kanë vrarë dhe plagosur rëndë me bombat e tyre buzë rrugës dhe në shumë konflikte”, shkroi Trump.

Trump përmendi viktimat e sulmeve dhe konflikteve të lidhura me Iranin, si dhe familjet e personave që, sipas tij, janë vrarë gjatë protestave antiqeveritare në vend.

Në deklaratën e tij, Trump iu referua edhe sulmit ndaj anijes luftarake amerikane USS Cole në Jemen, në tetor 2000. Sulmi vetëvrasës, i atribuar Al-Kaedës, shkaktoi vdekjen e 17 marinarëve amerikanë dhe plagosjen e më shumë se 30 të tjerëve.

Ndërkohë, Irani ka vendosur si kushte për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit kompensimin për dëmet e shkaktuara, heqjen e sanksioneve dhe përfundimin e kërcënimeve ushtarake amerikane.

Përplasja mbi kompensimet vjen në një kohë tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa grupet e të drejtave të njeriut raportojnë se autoritetet iraniane vijojnë goditjen ndaj kundërshtarëve të qeverisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb