Gjeneralmajor Fawzi al-Mansouri, kreu i shërbimit të inteligjencës ushtarake të Ushtrisë Kombëtare Libiane (LNA) në lindje të vendit, është vrarë në një atentat me eksploziv në Bengazi.

Ngjarja ndodhi vonë të hënën në lagjen Hawari të Bengazit, pranë banesës së tij. Sipas dy burimeve të sigurisë të cituara nga Reuters, një pajisje shpërthyese e improvizuar shpërtheu në momentin kur Al-Mansouri po hipte në automjetin e tij. Shpërthimi i mori jetën gjeneralmajorit, i cili mbante postin e drejtorit të inteligjencës ushtarake në Bengazi që prej vitit 2024.

Vrasja e një prej zyrtarëve të lartë të strukturave ushtarake të Haftarit rikthen në vëmendje situatën e brishtë të sigurisë në Libi, ku pavarësisht armëpushimit të vitit 2020, grupet e armatosura dhe administratat rivale vijojnë të kenë ndikim të konsiderueshëm.


Libia është e ndarë politikisht dhe ushtarakisht që prej vitit 2014, kur përplasjet mes fraksioneve rivale çuan në krijimin e strukturave paralele të pushtetit në lindje dhe perëndim të vendit. Ushtria Kombëtare Libiane, e drejtuar nga Marshalli Khalifa Haftar, kontrollon pjesën më të madhe të Libisë lindore dhe jugore dhe është e lidhur me autoritetet me bazë në Bengazi.

Në krahun tjetër, qeveria me bazë në Tripoli ushtron kontroll mbi pjesën më të madhe të territorit në perëndim dhe njihet ndërkombëtarisht. Atentati ndaj Al-Mansourit ngre pikëpyetje të reja mbi sigurinë në Bengazi dhe rrezikun e rikthimit të dhunës në një vend që prej vitesh përballet me paqëndrueshmëri politike dhe përplasje mes grupeve rivale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: