Një aktivist nga protesta përpara Kryeministrisë ka sjellë në vëmendje historinë e emigrimit shqiptar, duke rrëfyer historinë e familjarëve të tij që dikur kalonin malet drejt Greqisë në kërkim të një jete më të mirë.
“Daja im më tregonte se si shkonte në Greqi bashkë me dajën tjetër, nga malet drejt Greqisë. Kur isha i vogël, më dukej trimëri e madhe. Por ju e dini sa shqiptarë kanë vdekur rrugëve, për një të ardhme tjetër”, u shpreh ai.
Sipas aktivistit, sot shqiptarët kanë mënyra më të lehta për t’u larguar nga vendi, por problemi kryesor mbetet mungesa e perspektivës për ata që zgjedhin të qëndrojnë.
“Sot gjendemi para zgjidhjeve të tjera. Mënyrat e largimit janë më komode, por nuk ka perspektivë. Duhet të dalim përditë këtu”, deklaroi ai.
Aktivisti kritikoi klasën politike shqiptare, duke thënë se zhgënjimi i tij politik ka kaluar nga një forcë te tjetra. “Siç ka zhgënjyer familjen time qeveria e Saliut, sot më ka zhgënjyer mua Rama”, tha ai.
