Një protestues i moshuar, i pranishëm në tubimin para Kryeministrisë, ngriti shqetësimin për atë që e cilësoi si rrezik të pastrimit të parave të krimit dhe ndryshimit të identitetit urban e kulturor të qyteteve.
“Ekziston rreziku i pastrimit të parave të pista të krimit. Ky vend ka një problem serioz me pastrimin e parave. Shqetësimi bëhet edhe më i madh me zhdukjen e hapësirave, ndryshimin e identitetit të qyteteve dhe kthimin e tokës në interesa të mëdha ekonomike”, u shpreh ai.
Sipas protestuesit, kundërshtimi nuk lidhet me zhvillimin, por me mënyrën se si ai realizohet dhe me pasojat që mund të ketë për qytetarët. “Ne nuk protestojmë kundër zhvillimit, por kundër një zhvillimi që mund të bëhet pa shqiptarët, mbi kurrizin e tyre. Nuk duam që kullat të zëvendësojnë shtëpitë dhe betoni të zëvendësojë identitetin”, tha ai.
Ai kërkoi transparencë për pasuritë dhe projektet e mëdha, duke paralajmëruar se shqiptarët nuk duhet të humbasin tokën, historinë dhe kulturën e tyre për përfitimin e një grupi të vogël.
“Shqiptarët nuk duhet të humbasin popullsinë, tokën, historinë dhe kulturën e tyre për t’u pasuruar një grup njerëzish. Kërkojmë transparencë për pasuritë dhe projektet e mundshme. Shqipëria nuk është pronë e Edi Ramës dhe as e oligarkëve. Shqipëria është e shqiptarëve”, deklaroi protestuesi. Në fund, ai mbylli fjalën me thirrje të forta politike kundër drejtuesve të dy kampeve kryesore politike.
