Një 62-vjeçare nga Argjentina është bërë nënë për herë të parë, duke sjellë në jetë djalin e saj në një spital të provincës së Buenos Airesit. Mabel Frias lindi të mërkurën, më 12 gusht, në spitalin “San Felipe”, në qytetin San Nicolás. Djali i saj, David, erdhi në jetë me lindje cezariane dhe peshonte 2.75 kilogramë. Sipas nënës, foshnja është në gjendje të mirë shëndetësore, megjithëse pas lindjes qëndroi për disa orë në kujdesin intensiv neonatal.
Frias kishte kaluar prej vitesh në menopauzë dhe shtatzënia u arrit përmes fertilizimit in vitro me vezë të dhuruara.
“Gjithmonë kam dashur të bëhem nënë. Nuk u dorëzova kurrë”, tha 62-vjeçarja për mediat argjentinase, duke treguar se kishte vendosur të ndiqte trajtimin pasi kishte ruajtur prej vitesh dëshirën për t’u bërë nënë. Shtatzënia u konsiderua me rrezik të lartë për shkak të moshës, por sipas obstetres Romina Ruffini, e cila e ndoqi gjatë gjithë periudhës së shtatzënisë, ajo përparoi pa komplikacione. Pas lindjes, Frias iu drejtua edhe grave që ndodhen në menopauzë dhe dëshirojnë të kenë fëmijë.
“Mos u dorëzoni. Menopauza nuk është më një pengesë. Shkenca ka bërë shumë përparim”, u shpreh ajo.
Mediat argjentinase raportojnë se nuk ka të dhëna zyrtare për moshën më të madhe në të cilën një grua është bërë nënë në vend, por nuk përmenden raste të tjera të lindjeve në moshën 62-vjeçare ose më shumë. Në vende të tjera janë regjistruar raste të grave që janë bërë nëna në mosha edhe më të mëdha përmes riprodhimit të asistuar. Mes tyre janë rumunja Adriana Iliescu, e cila lindi në moshën 66-vjeçare në vitin 2005, dhe spanjollja Maria del Carmen Bousada de Lara, e cila solli në jetë binjakë pak para se të mbushte 67 vjeç.
