Spanja dhe Maroku kanë forcuar ndjeshëm sigurinë në kufirin me enklavën spanjolle të Ceutës, pas thirrjeve sot në rrjetet sociale për një tjetër hyrje masive emigrantësh.
Megjithatë, gjatë mëngjesit të sotëm situata në pikën kufitare ishte e qetë, sipas mediave spanjolle.
Autoritetet e të dy vendeve synojnë të shmangin përsëritjen e ngjarjeve të fundit të korrikut, kur, sipas vlerësimeve të ndryshme, deri në 80 mijë emigrantë tentuan të hynin në Ceuta.
Ministri i Brendshëm spanjoll, Fernando Grande-Marlaska, ka deklaruar se ajo ishte një ngjarje e jashtëzakonshme dhe se nuk do të përsëritej.
Pak ditë më parë, Ministria e Brendshme e Marokut njoftoi arrestimin e një grupi personash të dyshuar se nxisnin përpjekje të reja për hyrje të paligjshme në Ceuta dhe Melila.
Thirrjet për kalime masive të kufirit më 15 gusht kishin qarkulluar gjerësisht në rrjetet sociale.
Masat e sigurisë janë shtuar veçanërisht në anën marokene të kufirit.
Në qytetin kufitar Fnideq janë vendosur barriera të reja me tela me gjemba dhe tela të mprehtë, ndërsa anije patrullimi monitorojnë zonën bregdetare.
Në kufi janë dislokuar gjithashtu mjete për hedhjen e ujit me presion.
Autoritetet marokene kanë ngritur edhe pika të shumta kontrolli në rrugët që çojnë drejt kufirit, me synimin për të penguar grumbullimin dhe lëvizjen e emigrantëve drejt Ceutës.
Ministria e Brendshme ka deklaruar se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar kalimet e paligjshme.
Në anën spanjolle, në Ceuta janë dislokuar 880 efektivë të Policisë Kombëtare, 270 më shumë se në fund të korrikut.
