Nga Lisandër Hoxha
Patronazhisti nuk është thjesht një socialist apo një militant partie. Në thelb, ai është produkti i një sistemi që e ka lidhur funksionin publik me ndikimin elektoral dhe ndikimin elektoral me pushtetin personal.
Bëhet fjalë për njerëz me lidhje politike me drejtuesit e shtetit, të cilët Edi Rama i delegon në zona të caktuara elektorale dhe u jep një rol të veçantë: të sigurojnë vota.
Shumica e tyre janë funksionarë publikë që paguhen nga taksat tona dhe pozicioni i tyre në administratë nuk vlerësohet thjesht nga aftësia profesionale, por nga ajo që mund të prodhojnë në zgjedhje. Sa vota kontrollon? Sa njerëz dhe në kuti mund të ndikojë?
Kjo është arsyeja pse në administratë dëgjon vazhdimisht shprehje të tipit: “Filani ka kaq vota te filan kuti votimi.” Dhe këtu fillon thelbi i problemit.
Kur numri i votave që sjell një individ bëhet kriter për karrierën e tij shtetërore, administrata publike pushon së qeni administratë publike. Ajo kthehet në një makineri elektorale. Pra, nuk kemi më thjesht militantë partie që punojnë për një subjekt politik. Kemi një sistem ku funksioni shtetëror përdoret për të ndërtuar ndikim elektoral, ndërsa ndikimi elektoral përdoret për të siguruar funksionin, pushtetin dhe përfitimet personale.
Ky është sistemi i skllavërimit të votës që ka përcaktuar rregullat e promovimit në administratën publike, duke i kthyer zgjedhjet në një përballje mes makinerisë shtetërore dhe çdo partie tjetër politike me vullnetarë e mbështetës.
Po, nëse nuk janë socialistë këta që promovohen, çfarë janë?
Dhe këtu vjen një tjetër paradoks. Po të bësh një filtrim të këtyre strukturave, për çudi, gjen aty edhe ish-mbështetës të PD-së dhe të partive të tjera. Çfarë i bashkon njerëz me të kaluar kaq të ndryshme politike? Jo ideologjia, jo bindja partiake dhe as besnikëria ndaj një partie. I bashkon mundësia që u jep ky sistem për ta kthyer ndikimin mbi votën në pushtet, funksion dhe përfitime personale.
Këta janë drejtorë, përgjegjës sektorësh, inspektorë, policë dhe njerëz në çdo pozicion tjetër shtetëror, nga i cili mund të shërbejnë si urë mes pushtetit dhe votuesit për çdo nevojë.
Kjo skemë nuk ka nevojë të mbulojë të gjithë popullatën. Ajo ka nevojë vetëm për aq vota sa i duhen për të qenë në rregull me shifrat e paracaktuara.
Pra, një klasë, siç do të thoshte ati shpirtëror i komunistëve, Karl Marks, sundon mbi pjesën tjetër.
Kjo është arsyeja se përse nuk ka jetë politike në PS. Aty nuk ka as parti dhe as organe, sepse vetë shteti është partia. Nuk u duhen as mbështetësit dhe as votuesit tradicionalë. As ideologjia dhe asgjë partiake, sepse ata kanë mekanizmin zgjedhor nën kontroll. Për këtë arsye, çdo ditë e më pak gjen socialistë pranë tyre.
Aty ka vend vetëm për patronazhistët, të cilët janë minj të hambarit të të mirave publike që ky vend prodhon dhe ata i hanë.
Pra, që një taksidar tatimor t’i ndryshojë jeta duke vjedhur pjesën tjetër të shoqërisë, duhen 50 vota.
Që një përgjegjës sektori i kadastrës të bëjë dallavere dhe presione me pronat, duhen 100 vota dhe një drejtor patronazhist kërkon 300 vota.
As kualifikime, as moral, as aftësi, por vetëm numra. Prandaj ka degraduar administrata publike me njerëz të kësaj kategorie.
Shqiptarët jashtë kësaj skeme duhet të përshtaten me nevojën e këtyre hajdutëve për pasurim të shpejtë, duke i marrë shërbimet me para nën dorë dhe duke qenë vetë subjekt i padrejtësive çdo ditë, në çdo sektor.
Nëse do të kryhej një hetim i thjeshtë financiar i jetës së këtyre matrapazëve, do të zbulohej fare lehtësisht se shpenzimet dhe pasuria e tyre është disa herë më e madhe se të ardhurat. Këto pasuri janë ato që i grabiten të tjerëve me çdo mjet dhe mënyrë.
Prandaj, miq, patronazhisti është një sistem zhvatjeje i një grupi kundër të gjithë popullatës. Ata janë njerëzit më të ligj të vendit tonë, të cilët kanë vendosur të pasurohen me paratë e pjesës tjetër të popullatës, duke ia kushtëzuar jetën, pronën dhe mirëqenien çdo qytetari. Ata janë mekanizmi i cili nuk lejon as zgjedhje dhe as prosperim të vendit tonë.
Por, për fatin e mirë, ata janë shumë pak krahasuar me shumicën e qytetarëve që kërkojnë ndryshim.
Për këtë arsye edhe Rama sigurohet që mercenarizmi në politikë të jetë biznes i ditës.
Kështu, kur i vendos pasqyrën politikës, shpeshherë të duken njësoj, sepse Rama ka frikë të ketë përballë njerëz që duan t’i marrin pushtetin.
Ai e di mirë se sa vulnerabël është dhe se çdo përpjekje për të bashkuar revoltën kundër tij në një kuti të vetme votimi e nxjerr atë nga skena politike në çdo moment.
Prandaj ai vetë është aq i interesuar që politika të mbetet kliente e tenderave të tij dhe e shantazhueshme në çdo moment.
Prandaj shikojmë politikanë që ikin nga djathtas majtas sikur të ishte diçka normale.
Ky është thelbi, miq: të bëjnë zhul politikën dhe të frenojnë çdo tentativë jashtë tepsisë së bashkëqeverisjes, që të mos rrëzohen kurrë.
Kjo duhet të ndryshojë, sepse nuk ka asnjë mundësi që një fabul e tillë të vazhdojë të qëndrojë në këmbë.
Për këtë arsye ka humbur vlera e politikës, e cila tashmë është kthyer në batuta banale dhe teatër akuzash pa pasoja.
Për këtë arsye janë banalizuar institucionet, ligjet dhe drejtësia.
Prandaj ky sistem duhet shkundur, sepse ata janë tërësisht të pafuqishëm para shumicës së njerëzve që janë zgjuar nga gjumi i apatisë dhe stanjacionit.
Tashmë ata duan të përmbysin këtë kulturë politike dhe patericat e tyre që bëjnë si opozitarë.
Partiçka që falimentojnë protesta dhe kauza publike, duke ngjyer gishtat në çorbën e hajnisë së Edi Ramës.
Pelivanë që fshihen pas pasurisë së vënë me tendera dhe mistrecë që hidhen si kangur sa herë ka tentativa për të bashkuar opozitarizmin në këtë vend.
Kjo lojë duhet të marrë fund një herë e mirë.
Shqipëria e re është termi i zgjedhur kundër kësaj kulture dhe përfaqëson pikërisht aspiratën e këtij populli ndaj një sistemi që i ka rrjepur dhe lodhur për 13 vite.
Boll më! U ka ardhur fundi.
