Qytetarë të shumtë janë grumbulluar sërish sot në Sheshin “Skënderbej”, prej nga pritet të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë, në ditën e 78-të rresht të protestave kundër kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij qeveritar.
Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Rama, ndërsa kanë ngritur shqetësimet e tyre për krizën ekonomike, rritjen e çmimeve dhe vështirësitë me të cilat përballen qytetarët në jetën e përditshme.
Një element i ri i protestave të ditëve të fundit është përfshirja e diasporës. Që prej 14 gushtit, shqiptarë të ardhur nga vende të ndryshme janë bashkuar me protestuesit në Tiranë, duke i dhënë lëvizjes një tjetër dimension dhe masivitet.
Përveç dorëheqjes së Edi Ramës, protestuesit kërkojnë krijimin e një qeverie tranzitore me mandat 12-mujor, e cila, sipas tyre, do të ketë si mision përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Protesta vijon me marshimin drejt Kryeministrisë, ndërsa pritet që pjesëmarrësit të përsërisin kërkesat e tyre politike dhe ekonomike.
