Presidenti amerikan Donald Trump ka rritur tensionet me Iranin, duke publikuar të martën në mëngjes në Truth Social një hartë të Ngushticës së Hormuzit, të shoqëruar me frazën “Territor i Ri i SHBA-së”.
Postimi vjen në një kohë kur përplasjet mes Uashingtonit dhe Teheranit janë përshkallëzuar ndjeshëm, ndërsa Irani ka paralajmëruar se do të kundërpërgjigjet ndaj çdo përpjekjeje amerikane për të marrë kontrollin e ngushticës strategjike.
Më herët, Trump kishte deklaruar se pas përfundimit të operacioneve kundër Iranit, SHBA-ja mund ta shpallte Ngushticën e Hormuzit territor amerikan. Ai pretendoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë kontroll mbi kalimin detar dhe se “asnjë anije nuk kalon nëse nuk e duam ne”.
New media post from Donald J. Trump
( TS: Aug 18 2026, 7:09 AM ET ) pic.twitter.com/MXZtcwYrhB
— Commentary Donald J. Trump Truth Social Posts On X (@TrumpTruthOnX) August 18, 2026
Deklaratat kanë shkaktuar reagim të ashpër nga Teherani. Gjeneralmajor Amir Khatami i cilësoi komentet e presidentit amerikan si një “gabim të madh” dhe paralajmëroi se çdo kërcënim ndaj Iranit do të përballej me rezistencë.
“Këmbët e tyre do të thyhen”, është shprehur Khatami, duke pretenduar se forcat amerikane janë në thelb të dëbuara nga rajoni dhe se nuk do të lejohen të rikthehen në Gjirin Persik, Detin e Omanit dhe Ngushticën e Hormuzit.
Ndërkohë, kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur derisa Shtetet e Bashkuara të përmbushin kushtet e marrëveshjes së përkohshme në Islamabad.
