Protesta e 83-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama është zhvilluar me pjesëmarrjen e qytetarëve që u shprehën të vendosur për të vijuar qëndresën e tyre.
Protestës iu bashkua edhe biznesmeni Erlind Xhindi, i cili ngriti një sërë shqetësimesh lidhur me situatën në vend dhe akuzoi qeverinë për politikat që, sipas tij, po ndikojnë në largimin e qytetarëve nga Shqipëria.
Gjatë fjalës së tij, Xhindi iu referua edhe pranisë së eurodeputetëve në protestë, duke bërë thirrje për unitet mes qytetarëve dhe duke kundërshtuar çdo përpjekje për përçarje.
Ai e akuzoi kryeministrin Rama se po ndjek një politikë që çon drejt “shpopullimit” të vendit, ndërsa kërkoi gjithashtu reagimin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) lidhur me hetimet dhe arrestimet për korrupsion.
Në vijim, ai iu drejtua drejtpërdrejt SPAK-ut, duke kërkuar që institucioni të reagojë ndaj asaj që ai i cilësoi si abuzime dhe korrupsion.
“Në shesh kanë zbritur edhe eurodepuetë. Të dashur hajdutë mos u mundoni të na përçani. Ky legeni mendon si një moçalar që protesta do thahet. Ky nuk është kryeministër, ky është një kryelegen. Ky ka në plan shpopullimin, nuk bëhet fjalë për shkrirje bashkish, por për shpopullim. Lërini përçarjet sepse bëhet fjalë për kombin tonë. I bëj thirrje SPAK…Ku je? 500 mln euro ke marrë. Kë ke arrestuar? Ku je? Por ata që arreston SPAK janë ata që ndajnë paratë…Një thirrje vetëm për SPAK, reago. Klodian Braho zgjidh kartën e nderit sepse e ke mbështetjen tonë, po të vjen një goxha ambasador”, tha ai.
