Një organizatë kriminale e përfshirë në trafikimin dhe shpërndarjen e llojeve të ndryshme të drogës, përfshirë edhe të ashtuquajturën “kokainë rozë”, është goditur nga autoritetet greke në ishullin e Mykonosit.
Operacioni u zhvillua gjatë orëve të mëngjesit të së premtes, më 21 gusht, në kuadër të kontrolleve të koordinuara në Mykonos dhe në Atikë. Si rezultat, u arrestuan 9 anëtarë të organizatës kriminale, ndërsa një tjetër 22-vjeçar u arrestua për posedim droge.
Hetimi i kryer nga oficerët e Nëndrejtorisë së Narkotikëve të Policisë Greke zbuloi se grupi kishte një strukturë të mirëorganizuar dhe funksiononte sipas një hierarkie të përcaktuar.
Si funksiononte organizata
Sipas autoriteteve greke, në krye të rrjetit qëndronte një 35-vjeçar, i cili siguronte lëndët narkotike dhe organizonte transportin e tyre drejt ishullit. Ai përdorte banesën e tij si bazë për ruajtjen, përpunimin dhe shpërndarjen e drogës, ndërsa administronte edhe të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal.
Një tjetër 35-vjeçar, i cilësuar si zëvendësi i tij, kishte rol në ruajtjen e lëndëve narkotike, gjetjen e klientëve dhe furnizimin e shpërndarësve.
Në organizatë kishte edhe një 54-vjeçare, e cila kryente rolin e “arkëtares”. Ajo dyshohet se kujdesej për ruajtjen e parave dhe transferimin e fitimeve nga Mykonosi drejt Athinës.
Një 34-vjeçar, i cili punonte si shofer transporti VIP, dyshohet se shfrytëzonte profesionin e tij për t’iu afruar turistëve dhe vizitorëve në ishull dhe për t’u ofruar lëndë narkotike.
Në të njëjtin aktivitet dyshohet se ishin përfshirë edhe 5 anëtarë të tjerë rajonalë, të moshave 24 deri në 34 vjeç, të cilët punonin si shoferë ose shoqërues.
Përfitimet kalonin 170 mijë euro
Autoritetet greke vlerësojnë se përfitimi i paligjshëm i pritshëm nga shitja e drogës së sekuestruar, i kombinuar me shumat e parave të gjetura gjatë operacionit, kalon 170 mijë euro.
Ndërkohë, bëhet e ditur se 4 prej personave të arrestuar kishin qenë më parë në vëmendjen e autoriteteve ligjzbatuese për vepra të ngjashme penale.
Hetimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit të organizatës dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë pasur rol në rrjet vijojnë.
