Irani ka njoftuar zbulimin e një rezervë të re të madhe gazi natyror në jug të provincës Fars. Njoftimi vjen në një periudhë kur sektori energjetik i vendit është përballur me dëmtime të infrastrukturës dhe vështirësi në prodhim, pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Ministri iranian i Naftës, Mohsen Paknejad, deklaroi për televizionin shtetëror se rezervat e reja janë zbuluar në jug të provincës Fars. Sipas tij, fusha e zbuluar ka potencial për të nxjerrë rreth 5.7 trilionë metra kub gaz natyror.
Paknejad tha gjithashtu se rezervat e rikuperueshme do të ishin të mjaftueshme për të furnizuar me energji një fazë të fushës së madhe të gazit South Pars për rreth 15 vjet.
Ministri e përshkroi gazin e zbuluar si “gaz të ëmbël”, që përmban sasi të ulëta të sulfurit të hidrogjenit, një përbërës toksik. Sipas tij, kjo karakteristikë mund të sjellë kosto më të ulëta operative dhe zhvillimi të fushës.
Megjithatë, sipas Bloomberg, prodhimi i gazit nga kjo fushë nuk pritet të nisë së shpejti dhe mund të duhen disa vite përpara se rezervat e reja të kthehen në prodhim të konsiderueshëm.
Irani zotëron aktualisht rezervat e dyta më të mëdha të provuara të gazit natyror në botë, me rreth 1,200 trilionë metra kub, që përbëjnë afërsisht 16% të rezervave globale.
Zbulimi i fundit vjen pas një tjetër njoftimi të rëndësishëm nga provinca Fars vitin e kaluar, kur autoritetet iraniane deklaruan se kishin zbuluar rreth 10 trilionë metra kub gaz natyror në fushën Pazan.
Sektori energjetik iranian është përballur me dëme dhe ndërprerje që prej përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, ndërsa infrastruktura e naftës dhe gazit mbetet një prej sektorëve strategjikë të vendit.
