Gjatë fjalës së tij përpara godinës së Kryeministrisë, ish drejtuesi i policisë Krenar Ahmeti ka denoncuar shpenzimet e mazhorancës dhe keqmenaxhimin e parave publike, duke u ndalur veçanërisht te takimi i fundit i qeverisë dhe Partisë Socialiste në Pogradec. Ahmeti i bëri thirrje qytetarëve për qëndresë të mëtejshme si e vetmja rrugë për të sjellë ndryshimin.
Ahmeti theksoi se shpenzimet për aktivitetet politike të pushtetit janë në kontrast të thellë me nevojat e përditshme të qytetarëve dhe me problemet me sigurinë rrugore në vend.
“Vetëm zhvendosja e mbledhjes së qeverisë dhe PS-së në Pogradec minimumi u ka kushtuar 1.5 milionë euro. Me këto para do të ishte bërë një shkollë ku të paktën 1000 fëmijë do të ishin brenda parametrave për të studiuar. Por sa abuzime të tilla bëhen? Rrugët tona po përgjaken nga aksidentet, në çdo sekondë, në çdo moment jemi të rrezikuar. Si ka mundësi që nuk arrihet të sigurohet çështja e trafikut?” u shpreh ai.
Duke evokuar qëndresën prej më shumë se dy muajsh e gjysmë në shesh, aktivisti kërkoi masivizim të protestës deri në largimin e asaj që e cilësoi si klikë politike.
“Kemi 2 muaj e gjysmë rezistencë, edhe më tepër do të rezistojmë! Kam vetëm një thirrje për këtë shesh: Ka vetëm një zgjidhje! Të gjithë, vetëm në shesh, nuk ka zgjidhje tjetër nëse doni ta zhdukim këtë klikë që i ka pirë gjakun mbi 36 vite këtij vendi! Prandaj burra e gra, vendin mos e lëshoni!” përfundoi Krenar Ahmeti.
