Dita e 88-të e qëndresës qytetare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama është shoqëruar me mesazhe të forta ironike dhe kritike, ku protestuesit kanë sjellë në shesh pankarta me parulla domethënëse ndaj politikave të pushtetit.
Në fokusin e reagimit të qytetarëve është vendosur platforma më e re e prezantuar nga kryeministri Edi Rama, “Pasqyra Albania”, të cilën protestuesit e kanë lidhur drejtpërdrejt me akuzat për skandale dhe korrupsion.
Përmes mesazheve të tyre, ata kanë denoncuar përdorimin e teknologjisë nga qeveria si një përpjekje për të mbuluar realitetin e vendit. “JU SHPIKNI KODE E PASQYRA QË TË FSHEHNI ÇDO SKANDAL, POR VJEDHJA JUAJ REALE SHIHET QARTË NË ÇDO SHESH E MAL!” shkruhej në një prej pankartave. Ndërkaq, një tjetër parullë ironizonte propagandën dixhitale: “JU ME PASQYRA E FASADA DIGJITALE, NE TË NDRYSHËM POR TË BASHKUAR PËR DHIMBJE REALE!”.
Përveç kritikave ndaj propagandës zyrtare, në pankartat e tubimit nuk kanë munguar as mesazhet që lartësojnë vijueshmërinë e qëndresës në ditën e saj të 87-të e të 88-të. Parulla të tilla si “88, ÇDO DITË LË GJURMË” dhe “88, DY TETA, ZERO JUSTIFIKIME” kanë rikonsoliduar mesazhin e protestuesve për të vijuar rezistencën e tyre pa u zmbrapsur.
