Ferrari po përgatitet për Çmimin e Madh të Italisë në Monza javën e ardhshme, ku pritshmëritë janë të mëdha për debutimin e motorit të ri, i cili pritet të ngushtojë ndjeshëm diferencën e fuqisë me Mercedesin.
Në këtë mënyrë, Ferrari shpreson të rihapë betejën për titullin botëror, teksa Luis Hamilton renditet i dyti, me pikë të barabarta me Xhorxh Rasëllin, pas liderit të kampionatit, Kimi Antoneli. Përveç motorit të përditësuar, “Scuderia” ka përgatitur edhe një tjetër surprizë për tifozët e shumtë që do të jenë të pranishëm në edicionin e 97-të të Çmimit të Madh të Italisë: një homazh për Mikael Shumaker, shtatë herë kampionin e botës nga Gjermania, i cili vazhdon të mbetet në zemrat e të gjithë fansave të Formula 1.
Gara italiane, në “Tempullin e Shpejtësisë”, zhvillohet 30 vjet pas fitores së parë të Shumaker me makinën e kuqe, në vitin 1996, dhe 20 vjet pas triumfit të tij të fundit, në 2006. Në këtë periudhë dhjetëvjeçare, Shumaker i dhuroi Ferrarit pesë tituj botërorë dhe 72 fitore, duke shënuar një nga epokat më të lavdishme në historinë e skuadrës italiane.
Për këtë arsye, makinat SF-26 të Luis Hamiltonit dhe Sharl Lëklerkut do të paraqiten me një dekorim të veçantë në nderim të kampionit të madh gjerman. Gara në Itali do të jetë skena ideale për të vlerësuar trashëgiminë e Shumakerit dhe rolin e tij të jashtëzakonshëm te Ferrari, të ndërtuar përmes performancave të jashtëzakonshme që prej kohësh janë shndërruar në legjendë.
30 vite më parë Mikael Shumaker shënonte fitoren e tij të parë me Ferrarin në Formula 1. Piloti gjerman triumfonte në Barcelonë në një garë me shi më datë 2 qershor 1996.
