Ministri i Drejtësisë i Serbisë, Nenad Vujiç, ka deklaruar se ish-udhëheqësi ushtarak i serbëve të Bosnjës dhe krimineli i luftës, Ratko Mlladiç, do të përcillet me të gjitha nderimet ushtarake dhe shtetërore nga ana e shtetit serb.

Mlladiç ndërroi jetë ndërsa vuante dënimin me burgim të përjetshëm në burgun e Hagës. Ministri Vujiç konfirmoi se autoritetet serbe po presin udhëzimet nga OKB-ja dhe gjykata ndërkombëtare për tërheqjen e trupit të tij.

“Është e sigurt që Gjenerali Mlladiç do të marrë të gjitha nderimet ushtarake dhe shtetërore që i takojnë, për sa i përket shtetit. Jemi gati të nisemi për në Hagë sapo të mësojmë se cilët janë hapat e mëtejshëm,” u shpreh Vujiç.

I njohur nga mediat ndërkombëtare me nofkën “Kasapi i Bosnjës”, Mlladiç u dënua nga Gjykata e Hagës për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai u shpall fajtor për rolin e tij drejtpërdrejtë në masakrën e Srebrenicës, e cila konsiderohet si akti më i rëndë i gjakderdhjes në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Mlladiç, i cili muajt e fundit kishte pësuar disa goditje në tru, shërbeu si krahu ushtarak i pushtetit serb gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, krah ish-presidentit Slobodan Millosheviç dhe udhëheqësit politik të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç. Lufta e viteve 1992-1995 në Bosnjë e Hercegovinë la pas rreth 100,000 të vdekur dhe më shumë se 2.2 milionë persona të zhvendosur.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb