Në ditën e 91-të të protestës, një prej qytetarëve të pranishëm në shesh ka mbajtur një fjalim me tone të forta, duke vlerësuar qëndrueshmërinë e protestuesve dhe duke deklaruar se rezistenca do të vijojë deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

“Kemi thyer rekordet e protestës nga ’91 deri sot. Ne do ta nxjerrim Shqipërinë nga balta dhe do të rrimë këtu edhe 900 ditë. Nuk ikim nga sheshi pa ikur kryeministri”, u shpreh protestuesi.

Ai akuzoi gjithashtu institucionet dhe segmente të ndryshme të shoqërisë se janë ndikuar nga krimi dhe politika.

“Jemi të bindur që arsimi, bashkia, intelektualët janë blerë nga krimi”, deklaroi ai.

Protestuesi kritikoi edhe situatën në strukturat e policisë, duke pretenduar se zyrtarë të policisë janë përfshirë në veprimtari kriminale.

“Drejtorë policie arrestohen me kriminelë, këta nuk kanë sedër, janë këlyshë”, tha ai, duke përdorur tone të ashpra ndaj drejtuesve të policisë.

Megjithatë, ai bëri një dallim mes drejtuesve dhe efektivëve të policisë, duke deklaruar se ka edhe policë të ndershëm. Si shembull, ai përmendi efektivët që kanë marrë pjesë në arrestimin e Ergys Agasit dhe Ilir Beqajt.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb