Një zjarr shpërtheu në një rafineri nafte në rajonin e Leningradit, në veriperëndim të Rusisë, pas rrëzimit të një droni ukrainas, njoftuan autoritetet ruse në orët e para të së hënës.

Guvernatori i Leningradit, Alexander Drozdenko, tha se zjarri u shkaktua pas rrëzimit të një droni pranë rafinerisë dhe se ekipet e emergjencës ndodheshin në vendngjarje. Deri tani nuk është raportuar për persona të lënduar.

Sipas raportimeve paraprake, objekti i prekur është rafineria “Kirishinefteorgsintez” në Kirishi, një prej impianteve të rëndësishme të përpunimit të naftës në rajon. Drozdenko deklaroi gjithashtu se 42 dronë u rrëzuan në rajonin e Leningradit, ndërsa operacionet e mbrojtjes ajrore vijonin. Sulmet ukrainase ndaj infrastrukturës energjetike ruse janë intensifikuar muajt e fundit, në kuadër të përpjekjeve të Kievit për të goditur objektet që mbështesin ekonominë dhe makinerinë luftarake të Rusisë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: