Një dëshmi tronditëse hedh dritë mbi momentet e fundit të biznesmenit 76-vjeçar greko-qipriot, Dimis Mavropoulos, i cili humbi jetën pasi anija e tij u përplas me shkëmbinjtë në Kepin Greko, në Qipro, gjatë një stuhie të fuqishme.
Dëshmitari okular ka treguar për mediat qipriote se gjithçka ndodhi brenda pak minutash, pasi erërat e forta dhe dallgët e mëdha përfshinë zonën. Sipas tij, fillimisht një person në bordin e një varke tjetër kërkoi ndihmë duke bërë shenjë SOS. Banorët dhe turistët në breg tentuan ta ndihmonin, ndërsa një prej tyre përdori një litar për ta nxjerrë në siguri. Në atë moment, policia mbërriti në vendngjarje.
Situata u përkeqësua me shpejtësi. Dëshmitari tha se paralajmëroi policët se njëra prej anijeve kishte pësuar çarje dhe rrezikonte të shkatërrohej nga dallgët. Paralajmërimi rezultoi i saktë, pasi varka nisi të copëtohej. Ndërkohë, në një tjetër anije ndodheshin Mavropoulos, partnerja e tij dhe vajza. Dy gratë arritën të hidheshin në det dhe u shpëtuan nga ekipet e emergjencës.
(Βίντεο 2/2 από τα κατεστραμμένα σκάφη) Δύο σκάφη καταστράφηκαν στο Κάβο Γκρέκο – Αποκλειστικά πλάνα από την επιχείρηση διάσωσης pic.twitter.com/v1OqmeNB9y
— ink Cyprus (@inkcyprus) August 29, 2026
Momentet e fundit të biznesmenit
Sipas dëshmitarit, Mavropoulos tentoi të largonte anijen nga zona e rrezikshme, por motorët u fikën. Anija ndryshoi drejtim dhe u kthye anash ndaj dallgëve, duke u përplasur me forcë në shkëmbinj. Dëshmitari tha se biznesmeni ishte paralajmëruar disa herë të largohej nga anija. Miqtë e tij e telefonuan dhe i kërkuan të zbriste, por 76-vjeçari dyshohet se refuzoi, duke këmbëngulur se do të përpiqej të shpëtonte varkën.
“Do ta shpëtonte anijen”, mësohet t’u ketë thënë ai personave që e telefonuan. Në zonë, kushtet atmosferike ishin jashtëzakonisht të vështira, me erëra që sipas dëshmitarit mund të kenë arritur intensitetin 10-11 Beaufort. Edhe helikopteri i shpëtimit hasi vështirësi për të qëndruar i stabilizuar mbi det.
Pas fundosjes së anijes, autoritetet nisën një operacion të gjerë kërkimi. Në aksion u përfshinë policia, helikopterë, dronë dhe zhytës. Mavropoulos u gjet pa ndjenja në rrënojat e anijes dhe u transportua me helikopter në spital. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk mundi të mbijetonte. Në total, gjashtë persona u shpëtuan nga incidentet detare, ndërsa dy gra u dërguan për trajtim në Spitalin e Përgjithshëm të Famagustës. Autoritetet qipriote vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të tragjedisë, ndërsa dëshmitë e mbledhura tregojnë se përkeqësimi i menjëhershëm i motit dhe fuqia e dallgëve e kthyen situatën në një emergjencë brenda pak minutash.
